Nga Afrim Gashi: PISA 2025 në Kosovë – Testimi i dijes apo dështimit institucional?

- Advertisement -

Vlerësimi më i fundit në kuadër të testit ndërkombëtar PISA (Programme for International Student Assessment) është mbajtur në vitin 2022, ndërsa rezultatet janë publikuar në dhjetor të vitit 2023. Ky test, i cili organizohet çdo tre vjet nga OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik), mat aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë.

Edhe Kosova do të marrë pjesë në testimin e radhës – PISA 2025 –
Në këtë proces do të përfshihen rreth 7,500 nxënës, të përzgjedhur në mënyrë të rastësishme për të siguruar përfaqësim të drejtë të sistemit tonë arsimor. Për herë të parë, testimi do të realizohet plotësisht në formë digjitale.

- Advertisement -

Por çfarë pritshmërish kemi?

Personalisht, nuk pres ndonjë ndryshim të dukshëm në rezultate, për faktin se institucionet arsimore të vendit nuk kanë ndërmarrë veprime serioze për të adresuar dobësitë e identifikuara në testimet e kaluara. Pas publikimit të rezultateve të PISA 2022, OECD ka ofruar një sërë rekomandimesh të rëndësishme për Kosovën, ndër të cilat:

• Rritja e autonomisë së shkollave dhe mësimdhënësve
• Përmirësimi i përgatitjes së hershme arsimore
• Zvogëlimi i mungesës së stafit dhe materialeve mësimore
• Zvogëlimi i pabarazive socio-ekonomike
• Përmirësimi i klimës shkollore dhe sigurisë
Fatkeqësisht, këto rekomandime kanë mbetur në letër. Nuk është vërejtur ndonjë përkushtim i qëndrueshëm nga institucionet për t’i adresuar këto çështje, dhe rrjedhimisht, nuk mund të presim ndonjë përmirësim domethënës në performancën e nxënësve.
Dhe si zakonisht, faji do t’u faturohet mësimdhënësve, ndërsa institucionet përgjegjëse për politikat arsimore, planifikimin, kushtet dhe resurset në arsim, do të shmangin përgjegjësinë.
Deri në publikimin e rezultateve, na mbetet vetëm të shpresojmë – por jo të presim mrekulli.

- Advertisement -

Autori është mësimdhënës në shkollën “Dardania” në Prishtinë

©AlbanianEducation.net