Dështimi i heshtur i shoqërisë
Po rritet një brez që më shumë frikësohet nga qetësia sesa nga shpërthimi i dhunës. Në rrugë, në shkolla, në lagje, në shtëpi – fëmijët janë gjithnjë e më shumë pasqyrë e një shoqërie që po dështon në edukim, në përgjegjësi dhe në mbrojtje të vlerave njerëzore. Jemi në një kohë ku mungesa e edukimit familjar është kthyer në normë, e jo përjashtim. Prindër të dorëzuar, të hutuar pas halleve ekonomike, teknologjisë, shpesh të paarsimuar emocionalisht vetë, po e braktisin rolin më të shenjtë – atë të udhërrëfyesit të fëmijës së tyre.
Kemi nëpër shkolla fëmijë që ofendojnë, shajnë, godasin, mungojnë pa arsye, e kur ndonjë mësimdhënës ngre zërin për disiplinë – ai bëhet “problemi”. Në realitet, problemi është shumë më i thellë: mungon legjislacioni që vendos masa të qarta për fëmijët me sjellje devijante. Nuk ekziston një mekanizëm i fortë që të ndërhyjë aty ku familja dështon. Nuk ka ndëshkime, nuk ka edukim alternativ, nuk ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për atë fëmijë që sillet si agresor, që shkatërron ambientin shkollor, që rrezikon të tjerët.
E jemi duke paguar çmimin. Fëmijë që rriten në ambient dhune, me modele arrogante, me “hero” që bërtasin e godasin, shumë shpesh vetë viktima të neglizhencës, sot po kthehen në agresorë. Janë ata që përmes telefonit mësojnë të urrejnë, e përmes rrugës mësojnë të mbijetojnë me grusht. Dhe pastaj shfaqen titujt e zymtë: “Të miturit u përleshën me thika”, “Nxënësi sulmoi mësimdhënësin”, “Dy të rinj përfundojnë në spital pas një sherri në shkollë”. Viktima dhe agresor – të mitur. Të dy të humbur. Të dy produkte të një shoqërie që nuk mori masa në kohë.
A duhet të presim që numri i viktimave të shtohet që të veprojmë? A duhet të na godasë tragjedia personalisht që të kuptojmë sa e domosdoshme është të krijojmë ligje të forta, struktura mbështetëse, mekanizma ndërhyrës dhe edukim të detyruar për prindërit? Edukimi nuk është vetëm mision i shkollës. Është përgjegjësi familjare, institucionale dhe kombëtare. Kur ai mungon, pasojat janë për të gjithë.
Është koha të zgjohemi nga kjo heshtje kriminale. Edukimi i fëmijëve nuk është opsion. Është mbijetesa jonë si shoqëri.
© AlbanianEducation.net