Nga Adem Lushaj: Pa mësues të vlerësuar, asnjë reformë s’jep rezultat në arsim

- Advertisement5 -

Cilësia në arsim nuk ndërtohet me trajnime formale e të shkëputura nga realiteti i klasës, por me kuadro të përgatitura profesionalisht, pagesa dinjitoze, respekt dhe autoritet për mësuesin, si dhe me politika arsimore të qëndrueshme, afatgjata dhe të bazuara në meritë.

- paragrafi 1 -

Pa mësues të motivuar dhe të vlerësuar, asnjë reformë dhe asnjë program nuk mund të japë rezultat real në arsim.

- Advertisement -

Performanca e mësimdhënësit nuk matet me foto, fotokopje fletorësh apo prezantime formale në videoprojektor, por me rezultatin real te nxënësi: sa kupton, sa mendon kritikisht, sa përparon dhe sa formohet si qytetar.
Këto kërkesa burokratike vetëm sa e zhvendosin fokusin nga thelbi i mësimdhënies te forma, duke e lodhur mësuesin dhe duke e ulur dinjitetin e profesionit. Performanca matet në klasë, në ndërveprim të drejtpërdrejtë mësues–nxënës, jo në raporte, dosje dhe dëshmi artificiale.

Reformat në arsim nuk mund dhe nuk duhet të udhëhiqen nga ministra politikë të paaftë, por nga profesionistë të fushës, studiues, mësimdhënës me përvojë dhe ekspertë të arsimit, të cilët hartojnë politika realiste, të zbatueshme dhe të bazuara në kushtet ekzistuese.

Çdo reformë e imponuar nga lart, pa njohur realitetin e shkollës, prodhon vetëm dokumente, jo cilësi. Arsimi kërkon vizion afatgjatë, stabilitet institucional dhe vendimmarrje profesionale, jo improvizime politike me kosto të lartë për brezat e ardhshëm.

- Advertisement -

Këto qëndrime burojnë nga përvoja mbi 38-vjeçare në arsim, si mësimdhënës i matematikës, duke kaluar nëpër faza të ndryshme të sistemit arsimor që nga viti 1987 e deri më sot. Janë përjetuar reforma, improvizime, tranzicione dhe politika të ndryshme, prandaj fjala jonë nuk është teorike, por e mbështetur në praktikë, përkushtim dhe përgjegjësi ndaj brezave.

Pikërisht kjo përvojë na jep të drejtën të themi se arsimi ndërtohet me profesionalizëm, stabilitet dhe respekt për mësuesin, jo me eksperimente politike.