Nga Adelina Pali: Marrëdhënia Mësues & Prind – një udhë e përbashkët

- Advertisement5 -

Arsimi është themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e një shoqërie. Ai nuk është vetëm një proces i thjeshtë i përvetësimit të njohurive, por një rrugëtim i gjatë formimi, ku bashkëpunimi midis mësuesit dhe prindit luan një rol vendimtar.

- paragrafi 1 -

Unë jam prind dhe gjithashtu kam qenë dhe në pozicionin e mësuesit dhe për mendimin tim kjo marrëdhënie është një urë e fortë që lidh familjen me shkollën dhe ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e fëmijës.

- Advertisement - M1

Në këtë udhëtim të bukur, por edhe të vështirë, dy duar e mbajnë fort: dora e mësuesit dhe dora e prindit. Kur këto duar bashkohen, fëmija ecën i sigurt. Kur ato ndahen, ai mbetet mes dy botëve, i hutuar dhe i pasigurt.

Mësuesi është udhërrëfyesi i dijes, ai që përçon vlera, disiplinë dhe kulturë. Nga ana tjetër, prindi është edukatori i parë i fëmijës, ai që vendos themelet e sjelljes dhe karakterit të tij.

Kur këta dy faktorë bashkëpunojnë, krijohet një mjedis i shëndetshëm për rritjen dhe edukimin e nxënësit. Por, në realitetin e sotëm, kjo marrëdhënie shpesh përballet me sfida dhe keqkuptime.

- Advertisement - m2

Një nga problemet më të shpeshta është mungesa e pranimit nga ana e prindërve për sjelljet apo mangësitë e fëmijëve të tyre.

Shpesh, prindërit e kanë të vështirë të pranojnë se fëmija i tyre mund të mos jetë i përgatitur për mësim, të mos sillet siç duhet në klasë apo edhe të shfaqë sjellje negative si bullizmi ndaj shokëve apo mësuesit. Në këto raste, në vend që të kërkohet zgjidhje, lind një konflikt i panevojshëm midis prindit dhe mësuesit.

Nga ana tjetër, edhe mësuesi përballet me sfida të mëdha.Interesi i nxënësve për të mësuar është në rënie, mësuesi duhet të gjejë mënyra të reja për t’i motivuar ata, duke ruajtur njëkohësisht autoritetin dhe respektin në klasë. Kjo e bën profesionin e mësuesit një nga më të vështirët dhe më të nënvlerësuarit në shoqëri.

Zgjidhja e këtij konflikti qëndron në komunikimin e hapur dhe të sinqertë. Prindërit duhet të jenë të gatshëm të dëgjojnë dhe të bashkëpunojnë me mësuesin, duke e parë atë si një partner dhe jo si kundërshtar. Po ashtu, mësuesit duhet të tregojnë mirëkuptim dhe profesionalizëm në komunikimin me prindërit, duke u përpjekur të gjejnë mënyrën më të mirë për të ndihmuar çdo nxënës.

Marrëdhënia midis mësuesit dhe prindit është thelbësore për suksesin e fëmijës. Vetëm përmes bashkëpunimit, respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mund të ndërtojmë një sistem arsimor më të fortë dhe një brez të ri më të edukuar. Sepse, në fund të fundit, qëllimi i përbashkët është i njëjtë: e ardhmja e fëmijëve tanë.

adelina

© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara