Mjeshtëria e një mësuesi nuk është titull, është profesionalizëm, është mund, është dhunti, është përkushtim i përditshëm që ndërton mendje dhe formon zemra.
Mjeshtëria është arti për të ndezur dritën e dijes edhe kur rruga duket e errët.
Është durimi për të pritur ritmin e çdo nxënësi, besimi për t’i dhënë krahë edhe më të pasigurit, dhe forca për të mos u dorëzuar kurrë përballë sfidave.
Është përgjegjësi që nuk mbaron me zile, por vazhdon në çdo mendim, në çdo plan, në çdo përpjekje për të bërë më mirë.
Mësuesi i vërtetë nuk matet me fjalë, por me gjurmët që lë te nxënësit e tij.
Ai nuk jep vetëm dije, por mëson si të mendohet, si të jetohet me vlera, si të ndërtohet e ardhmja me ndershmëri dhe guxim.
E gjitha, në fund, mjeshtëria e një mësuesi nuk shihet në diplomë, por në dritën që mbetet ndezur në sytë e nxënësve të tij.
Dhe, pikërisht këtu qëndron finesa e mjeshtërisë së mësuesit.
Ajo është precizioni i një arti të padukshëm, ku çdo fjalë peshohet, çdo shembull zgjidhet me kujdes dhe çdo heshtje ka kuptim.
Është aftësia për të ndërtuar ura mes dijes dhe shpirtit të nxënësit, pa imponim, por me ndjeshmëri dhe zgjuarsi pedagogjike.
Mësuesi i vërtetë di kur të flasë dhe kur të dëgjojë, kur të udhëheqë dhe kur të lërë hapësirë që nxënësi të zbulojë vetë.
Ai punon me detajin, me nuancën, me ritmin e mendimit si një artist që modelon pa zhurmë, por me ndikim të thellë.
Arti i mësimdhënies nuk është rastësi, është përpikëri, është intuitë, është përvojë e kthyer në urtësi.
Dhe në këtë përpikëri të heshtur, lind ndryshimi i madh: formimi i një njeriu.
