Prej zemrës së plastë
TERRI QË VERBON
Merreni me mend, për çdo ditë flitet nga injorantë sikur kanë gjetur kandarin vlerësimit të Arsimit në Kosovë.
Dhe, ata janë nga klasa jonë politike, qeveritarë e opozitarë, persona zyrtarë e individë të profileve të ndryshme profesionale e joprofesionale e kush jo tjetër. Duken të brengosur e flasin për cilësinë e dobët në arsim! Ani, mirë që flasin.
Por, a ka kuptim të flasin e të mos e drejtojë askush gishtin kah vetja për të treguar fajtorin?!!! Mbylleni gojën more! Kur ju thuhet se nuk jeni kah bëni gjë, çaravesheni duke u përjargur e krekosur nga ndjenja e kënaqësisë se keni hipur lartë me gjithë tarafet tuaja.
Duke lënë në margjina profesionistë me kompetencë në fushën e arsimit, i keni shkaktuar aq të këqija të sotmes dhe të ardhmes.
Ju nuk shkuat dhe nuk shkoni kurrë aty, ku bëhet puna dhe përpjekja për ngritje të cilësisë në arsim, për t’u njohur me problemin nga njerëzit që ia kanë kushtuar një jetë të tërë arsimit!
Aty do ta kishit vërejtur dhe do ta vëreni plagën dhe do të inspiroheshit për ta gjetur ilaçin për shërim! Ndërkaq, prioritetetet tuaja ishin dhe janë udhëtimet dhe ekskursionet, emrimet dhe shkarkimet, mëditjet dhe favoret e privilegjet për tarafet tuaja.
Por oh, a ka diçka që të na bie me tërë fuqinë për ta trazuar detin e injorancës sonë?!!!
Ç’është e vërteta, ju qeveritarët bashkë me opozitarët, nuk keni faj! Ju aq dini dhe aq bëni.
Fajin e kanë të gjithë ata që kanë “dhënë e japin gisht” për analfabetë që e qeverisin dhe e “shkërryen” këtë popull.
Tash, Ju po vini e po veni duke mos lënë dy gurë bashkë, duke marrë çka të mundeni dhe duke mos lënë asgjë, pos territ që verbon! Zoti pastë mëshirë për ju!