Këshilli i Prindërve në Prishtinë e ka dënuar sjelljen e arsimtarit Abaz Kadriu dhe Halil Brahajt, drejtorit të Shkollës “Pavarësia”, të cilët janë të dyshuar për dhunë fizike ndaj nxënësit të klasës së nëntë dhe po hetohen nga Prokuroria.
Nexhmi Hoxha, kryetari i Këshillit të Prindërve në kryeqytet ka treguar në emisionin “Kallxo Përnime” se kryetarja e Këshillit të Prindërve në Shkollën “Pavarësia” kishte diskutuar me prindërit e nxënësit të mitur.
“Pa marrë parasysh prej veprimeve të fëmijëve, ne kërkojmë prej mësimdhënësve, prej drejtorëve që ata të mos bijnë në këtë nivel të sjelljeve të tyre të dhunës ndaj fëmijëve tonë.”, ka thënë Hoxha.
Hoxha duke u bazuar në informacionet që i ka tha se nxënësi kishte bërë probleme në shkollë dhe kanë tentuar përmes nënës së tij të komunikojë shkolla.
Kështu ai ka përmendur pretendimet se nxënësi e kishte vjedhur një telekomandë të shkollës që hap dyert e saj.
Sa i përket protestës që e mbajtën kolegët e Kadriut, më 10.02.2026, duke mos i zhvilluar dy orë mësimit, Hoxha tha se kanë qenë kundër dhe kanë folur me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, pasi e mbështetën protestën dhe morën pjesë në të.
Hoxha tha se ka nxënës që kanë sjellje të pahijshme, por nuk mund të arsyetohet dhuna e mësimdhënësve ndaj tyre.
“Na vjen keq që ne si prind po lejojmë që fëmijët të kenë sjellje të tilla që t’i sjellin në këtë pozitë mësimdhënësit tonë që ata të dalin prej vetës së tyre.” – ka shtuar ai.