Vetëm tri paralele në një objekt të vjetër shkollor.
Në shkollën fillore “Nexhmi Mustafa” në Lebanë, momentalisht vijojnë mësimin vetëm nxënësit e klasës së parë, të dytë dhe të katërt.
Pasi objekti ka vetëm 3 dhoma, mësimi në këtë fshat të Prishtinës, vijohet vetëm për fëmijët deri në klasën e pestë.
Por, për shkak të mungesës së nxënësve, momentalisht në shkollën e Lebanës mbahet mësimi vetëm me një ndërrim, pasi nuk ka nxënës për paralelen tre dhe pesë.
Edhe këto klasë që janë, kanë një numër të vogël të nxënësve.
Sipas mësueses Vjollca Berisha, njëra nga dhomat e kësaj klase është e improvizuar dhe nuk plotëson kushtet për mbajtje të mësimit.
“Shkolla i ka vetëm dy klasë, për arsye se i kemi 3 klasë me nxënës një klasë është dashur ta improvizojmë, që nuk i ka kushtet e mjaftueshme për sa nxënës janë. Është klasë me 10 metra katror, janë 6 nxënës dhe nuk është e mjaftueshme. Deri para dy viteve kanë qenë 5 klasë, me rënien e numrit të nxënësve, dhe ata që po i kanë mundësitë po i zgjedhin shkollat më të mëdha siç është Bardhoshi, por edhe shkollën Amë që e kemi në Besi dhe i duket që me numër më të vogël nuk është adekuatë, për atë numri i nxënësve ka pasur rënie në disa klasë. Për shembull, klasa e 5 dhe e 3 nuk janë në këtë shkollë”, tha Vjollca Berisha, mësuese në shkollën fillore në Lebanë.
Sipas Berishës, numri i vogël i nxënësve po ndodh se prindërit po zgjedhin që fëmijët e tyre të shkojnë në shkollat më të mëdha.
“Më së shumti bardhoshi merr më së shumti nxënës nga kjo anë. Po bëjnë certifikata të pronës që banoj në këtë lagje dhe shkojnë. Prindërit po mendojnë që me numër të madh të nxënësve fëmijët mbajnë mësim më cilësor”, shtoi ajo.
Por, sipas mësimdhënëses, bartja e nxënësve në shkollat tjera po bëhet edhe për shkak të kushteve jo të mira të shkollës. Ajo thotë se shkolla nuk ka as fushë futbolli dhe përveç një printeri, ata nuk ka asnjë projektor me të cilën preferohet zhvillmi i mësimit me kurrikulat e reja.
Fëmijët nga klasa gjashtë deri në të nëntën, detyrohen të vijojnë mësimin në shkollën e fshatit fqinjë, në Besi.
E kjo gjë po iu kushton prindërve të cilët duhet të paguajnë 20 euro për transportimin e fëmijëve në shkollën që është rreth 2 kilometra larg.
Hazir Shala, i cili bën transportin e nxënësve, thotë se duhet të bëhej një zgjidhje nga komuna e Prishtinës, pasi kjo është një barrë e rëndë për prindërit.
Por, nga komuna e Prishtinës thonë se nuk kanë ndonjë plan për shkollën në Lebanë.
Sipas drejtoreshës për Arsim, Besianë Musmurati, shkolla të vjetra ka gjithandej, andaj renovimi do të bëhet sipas nevojave reale.
“Nuk kemi plan për shkollën në Leban, por shkolla të vjetra ka gjithandej nëpër Prishtinë. Gati secila shkollë ka nevojë për investim. Ne jemi duke e bërë një plan që të prioritizojmë rinovimet sipas nevojave reale dhe jo ad hoc”, deklaroi Besianë Musmurati, drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë.
Shkolla në Lebanë, para luftës shërbente për nxënësit e komunitetit serb, përderisa nga viti 2004, ajo ka filluar mësimin me 5 paralele për të gjithë fëmijët e fshatit Lebanë. /Koha/