Po bëhen gati t’ia fillojnë orës mësimore. Secili po zë vendet e veta, për të nisur qepjet e fustaneve.
Vullneti nuk mungon, por dikush tjetër po.
Nxënësit e Institucionit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional “Zenel Hajdini” në Ferizaj nuk ia kishin fare idenë se nga ky fillim shkurti, profesori që ligjëron lëndën e dizajnit të modës nuk do të vijë më.
Ai që me vite u mësoi se si të bëhen më të mirët në profesionin që e kishin zgjedhur, e la ditarin dhe mori rrugën për në Gjermani. Kjo i befasoi nxënësit e tij.
Lajmin se profesori i preferuar i tyre nuk do të vije më, thonë se i mërziti fort.
Se profesori i cili ishte edhe njëri prej themeluesve të klasës së dizajnit të modës, liberalizmi i vizave do ta shtynte ta lë punën, nuk e kishte ditur as drejtori i shkollës. Këtë informatë e mori vesh veç një ditë përpara.
Por ky nuk është rasti i parë në këtë shkollë.
Ngjashëm kishte ndodhur edhe me profesoreshën e psikologjisë, e cila po ashtu ishte edhe psikologja e shkollës.
Drejtori Abdullah Imeri shpjegoi se këtë vendim ajo e mori për 24 orë, për çka thotë se lajme të tilla nuk do t’ia uronte askujt. Por diçka tjetër e ka gëzuar stafin e këtij institucioni arsimor.
Sipas drejtorit, me liberalizmin e vizave u rritën kërkesat e nxënësve për zhvendosje nga gjimnazet, në shkolla profesionale, siç është ajo të cilën e drejton. Por më e rëndë është gjendja në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prishtinë.
Dy mësimdhënës që kanë edukuar breza, pas disa ditësh, do të përshëndeten me vendlindjen për t’i thënë tungjatjeta Evropës. Drejtori Visar Osmani këtë e ka quajtur humbje të madhe për gjithë shkollën.
Pas këtij vendimi, drejtori ka thënë se kanë nisur të interesohet për kuadro të tjera, me qëllim që nxënësit të mos humbin asnjë orë mësimore. /KlanKosova