Nermin Strazimiri, 40 vite kontribut si mësuese baleti – rrëfimi i saj prekës dhe i paharrueshëm

- Advertisement -

Në episodin e radhës, kamera e emisionit “Real People” u ndal në një lagje të vjetër të Tiranës.

- paragrafi 1 -

Flori Gjini realizoi një intervistë me personazhin e javës, zysh Nermin Strazimiri, ish-mësuese e Shkollës së Baletit në Tiranë.

- Advertisement -

Nermin Strazimiri, e njohur si zysh Piti, është një ikonë e baletit shqiptar dhe mësuese e shumë brezave të balerinëve të suksesshëm, që sot performojnë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në skenat ndërkombëtare.

Edhe pse në moshën 80-vjeçare ajo lëviz her pas here me biçikletë në qytet ndërsa vijon të punojë ende dhe kujton me nostalgji karrierën e saj të gjatë në botën e baletit.

Në apartamentin e saj, ku ruhen relike që nga koha e Mbretit Zog, ajo rrëfen se ka filluar punën në balet që në vitin 1969, duke kaluar si mësuese në Shkollën e Baletit.

- Advertisement -

Me përvojë prej afër 50 vitesh në mësimdhënie, ajo kujton se ishte një mësuese strikte dhe e respektuar, shpesh me shkop në dorë për të ruajtur disiplinën në klasë.

Gjithashtu, ajo ka shërbyer edhe si drejtoreshë e Shkollës së Baletit dhe rikujton me emocion periudhën e asaj kohe.

Në intervistë, Nermin tregon për nxënësit e saj të suksesshëm, përfshirë Esdalin Goranin dhe Ilir Shaqirin, dhe për lidhjen e ngushtë që ka mbajtur me shumë prej tyre edhe pas mbarimit të shkollës.

Në pjesën personale, ajo rrëfen se u martua në vitin 1971 dhe ka dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë.

Pavarësisht shtatzënisë, ajo nuk mungonte asnjëherë në punë dhe tregon se ishte fanatike në detyrën e saj. Influenca e saj ishte vendimtare që vajza e saj të ndiqte po të njëjtin rrugë si mësuese baleti.

Me dhimbje të madhe Nermini përmend problemet shëndetësore të djalit të saj, i cili u sëmur rreth vitit 1992 gjatë një periudhe që ai ndodhej jashtë shtetit ndërsa aktualisht ndodhet në spital.

Në fund, ajo tregon pengun e saj: edhe pse ka punuar mbi 40 vjet dhe është dekoruar në vitin 1990, nuk po përfiton pension të veçantë dhe vazhdon të punojë pavarësisht se ka dalë në pension.

“Kam 40 vite punë si mësuese, punova më parë dhe vazhdoj ende me një pension normal. Jam dekoruar në vitin 1990 dhe kam nxjerrë breza të shumtë. Doja të përfitoja pensionin e veçantë që marrin këngëtarët dhe të tjerë, sepse për kontributin që kam dhënë gjatë viteve e meritoj. Nuk lëvdëroj veten, por jam mësuesja e parë efektive që ka formuar shumë breza dhe jam dekoruar për këtë punë”, thotë ajo. /EuronewsAlbania