Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka thënë se sivjet në Prishtinë do të nisë ndërtimi i tri shkollave, nga shtatë sa mendon qeverisja e re e kryeqytetit ta ndërtojë deri në fund të mandatit.
Zogaj ka thënë se mungesa e shkollave në periferi është një prej arsyeve që shkaktohen tollovi të mëdha në qendër të qytetit.
“Kemi në plan ndërtimin e shtatë shkollave të rej. Sivjet fillon ndërtimi i tri shkollave, kemi nënshkruar kontratat dhe jemi procedura tutje. Ato tri shkolla do të lirojnë hapësirën aktuale në shkollat ekzistuese. E do të vazhdojmë më pas tutje me ndërtimin e shkollave të reja. Shatë në përgjithësi. Me këtë lirohet Qendra e Prishtinës, e po ashtu u jepet mundësi periferisë të kenë shkollat më afër”, ka thënë Zogaj.
Ai ka thënë se është bërë një analizë e ngarkesës në rrugët e Prishtinës, gjatë periudhës së grevës në arsim e po ashtu në kohën e tashme.
“E kanë vërejtur edhe qytetarët se kur fillon mësimi, hapen shkollat në kryeqytet, kemi më shumë makina. Prindërit i dërgojnë fëmijët në shkolla e pastaj shkojnë në punë. Kjo krijon tollovi të mëdha. Krahasim me kohën kur ishte grevë në shtator, kishte më pak vetura në Prishtinë. Tregon një fakt se duhet të ndërtojmë shkolla fillore e të mesme në periferi të qytetit, atje ku ka mungesë të tyre, dhe prindërit nuk kanë nevojë të sjellin fëmijët deri në qytet për shkollë”, ka thënë Zogaj. “Ka shumë prindër që vijnë prej periferisë së Prishtinës me i sjell fëmijët në Qendër e kjo krijon tollovi”. /KOHA