Këtu ndodhemi në fshatin Shushicë të Elbasanit. Mjerimi në këtë fshat duket se është ulur këmbëkryq.
Gruaja që jeni duke parë në këto pamje është Kadire Biba. Ajo është 58 vjeç, nënë e pesë fëmijëve.
“Kam lindur dhe jam plakur këtu. Me fukarallëk kemi jetuar. Para 10 viteve nuk kisha as shtëpi të fusja kokën. Ua di për nderë motrave të Nënë Terezës” u shpreh Kadire Biba, banore e fshatit Shushicë.
Në fshat nuk ka punë, përveç punëve të bujqësisë. Ajo merret duke punuar këtë kopësht. Ndërsa për të mbijetuar marrin një ndihmë sociale nga shteti.
“Marrë përkrahje sociale 77 mijë lekë në muaj, jam vetë i pestë në shtëpi. Njërën vajzë e kam në gjimnaz, çunin e kam në klasë të shtatë” u shpreh Kadire Biba, banore e fshatit Shushicë.
Kadirja ka një vajzë të sëmurë në shtëpi. Ndërkohë që vajzën tjetër e ka çuar në jetimore.
Dëshira e kësaj nënë për të arsimuar vajzën e saj e ka detyruar që ta lërë në jetimore.
“Nuk e çoja dot në shkollë se të shkonte në Elbasan donte 2 mijë lekë rrugë, plus një kafe do e pinte me shoqet, unë nuk i kisha kushtet. Kështu u detyrova që e çova në jetimore” u shpreh Kadire Biba, banore e fshatit Shushicë
Nënë Kadirja na tregon edhe për sakrificat që bën biri për të shkuar në shkollë. Ai e përdor 15 mijë lekëshin e transportit për të blerë lapsa, stilolapsa e fletore. Ndërkohë që rrugën për në shkollë e bën në këmbë. Ky fakt, e bën që të ndihet ndryshe në sytë e moshatarëve të tij.
“Diferencën ai e ndien më shumë te shoqëria e tij. Do thuash ti pse ai ikën në këmbë nga këtu deri në shkollë. Shokët e tij marrin pare rruge e ikin me furgona me autobuza se arsimi i ka siguruar fëmijët. Ky i imi detyrohet që të iki në këmbë. Ai për dy vjet ka marrë pare rruge por thoshte do i mbaj të blej ndonje lapës, ndonjë flet pune ndonjë gjë. Por tani si ka marrë më, dy muaj i kanë humbur fare, maj-qershor si ka marrë fare. Jo do i marrë sot jo do i marrë nesër nuk i dhanë. Atij fëmije unë sia plotësoj dot kushtet si prind. Ai do rroba, ai do këpucë, i thonë 12 mijë lekë një palë këpucë, ku t’ja gjej unë këpucët atij” u shpreh Kadire Biba, banore e fshatit Shushicë.
Në kuzhinë e Kadires gjendet një thes me miell, një bidon me vaj dhe pak fasule. Ajo na tregon se si i menaxhon 77-mijë lekëshin që merr si përkrahje sociale.
“Paguaj dritat që nga një herë janë 25- 20 varet si të djeg. Ne jemi pesë veta, do marr një thes miell, mielli është bërë 28 mijë lekë, do marr një bidon vaj edhe mblidh lakra nëpër kopsht e gatuaj për kalamajtë, nuk kam cfarë të bëj. Jetohet me kaq?! Nuk ke çfarë bën do ul kokën e do punoj…nuk ke çfarë bën”, u shpreh Kadire Biba, banore e fshatit Shushicë.
Nëse bëjmë një përllogaritje të thjeshtë kësaj familje i mbesin më pak se 13 mijë lekë të vjetra për tu ushqyer dhe për nevojat shëndetësore. Më thjeshtë, 77 mijë lekë përdoren për të paguar: 25 mijë lekë drita, 28 mijë lekë një thes me miell dhe 11 mijë lekë për një bidon 5 litar me vaj. Në total kjo familje shpenzon 64 mijë lekë.
“Ku ti gjej unë paret, po për sëmundjen po për të tjerat. Ne kemi edhe moshën tani që kemi sëmundje por për sëmundjet nuk llogaritim fare sikur jemi mirë me shëndetin” u shpreh Kadire Biba, banore e fshatit Shushicë.
Mjerimi shkon edhe me tej, ata nuk kanë as ujë të pijshëm pasi nuk ju mjaftojnë lekët. Zonja Kadire në prag të pensionit detyrohet që të përshkruaj kilometra me një karrocë dore për të siguruar ujin.
“Ujin e pijshëm nuk e mora se më kërkuan këta të ujsjellsit që të blija unë markucin dhe ta vendosja te kabina e shpërndarjes. Unë nuk kisha para dhe u detyrova që në këtë mosh të marrë karrocën e dorës dhe me bidona 5 kg të iki ta mbush në Teferic te uji i ftohtë” u shpreh Kadire Biba, banore e fshatit Shushicë.