Merita Hoxha Maksuti ka reaguar publikisht pasi Ambasada e Austrisë në Shkup ia ka pamundësuar bashkimin me vajzën e saj, për të cilën thotë se është në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Hoxha Maksuti përmes një postimi në Facebook ka treguar për procedurat që ka ndjekur për të marrë vizën, e që në fund prapë iu refuzua pa ndonjë shpjegim nga ambasada.
“Njëherë filluam me një dokument, pastaj me një tjetër, dhe tash – pas katër aplikimeve të njëpasnjëshme – Ambasada e Austrisë në Shkup, pa pikë turpi ma mohoi prapë vizën për këtë shtet. Në fillim na thanë që veç bileta e aeroplanit me u ble, viza është e garantuar. Kur e blemë të parën herë, mungoi edhe diçka. Të dytën u shtua edhe një dokument. Tash, pas katër biletave të blera, dhjetëra akomodimeve të siguruara, e qindra shpenzimeve tjera të humbura kot, Ambasada e Austrisë në Shkup vendosi që prapë kjo vizë është e paarritshme për mua. Pa arsye”, ka shkruar ajo.
Tutje Hoxha Maksuti ka thënë se kjo e ka shtyrë që të niset për Austri në mënyrë joligjore.
“Kjo më ka shtyrë që unë të nis një rrugëtim tjetër, të pasigurt e të kundër dëshirës time. Pasi ligjit nuk do t’ia dijë për mua, unë do të nisem për Austri në mënyrë jo ligjore. Asgjë në këtë botë s’do të mund të më ndajë nga Maja ime”, shtoi ajo.
Postimi i plotë:
Sot, durimi im – ashtu si i çdokujt që ka kaluar nëpër sfidat e njëjta – ka mbaruar.
Ambasada e Austrisë në Shkup përfundimisht ma ka pamundësuar bashkimin me vajzën time, Majën, e cila është duke i kaluar momentet më të vështira të jetës pa mua. Neglizhenca që filloi në institucionet e Kosovës vazhdoi edhe në ato të ambasadës së Austrisë, e cila i’a dha shkelmin e fundit shpresës që e kam ruajtur gjatë këtyre muajve të tmerrshëm.
Është diçka e jashtëzakonshme me i’a mohu një nëne të drejtën e kujdesit për fëmijën e saj të sëmurë, por drejtësia nuk duket se ka rëndësi kur vjen puna te burokracia e ambasadave.
Njëherë filluam me një dokument, pastaj me një tjetër, dhe tash – pas katër aplikimeve të njëpasnjëshme – Ambasada e Austrisë në Shkup, pa pikë turpi ma mohoi prapë vizën për këtë shtet. Në fillim na thanë që veç bileta e aeroplanit me u ble, viza është e garantuar. Kur e blemë të parën herë, mungoi edhe diçka. Të dytën u shtua edhe një dokument. Tash, pas katër biletave të blera, dhjetëra akomodimeve të siguruara, e qindra shpenzimeve tjera të humbura kot, Ambasada e Austrisë në Shkup vendosi që prapë kjo vizë është e paarritshme për mua. Pa arsye.
Arsyeja dhe shpjegimi mungojnë, sepse nuk ka asgjë të arsyeshme për këtë ndodhi. Një shtet që ndan nënën prej fëmijës së saj nuk është aspak demokratik, por përkundrazi, shfaq diktaturën më të pështirë që mund të ekzistojë. Ftesa e spitalit më prestigjioz të Austrisë nuk qenka kauzë e mjaftueshme që unë të bashkohem me vajzën time. As dokumentacioni që garanton që ky spital ka marrë fonde prej 10.000€ për vajzën time. Thasët me dokumente të nënshkruara, noterizuara e detajuara deri në skaj nuk po vlejtkan gjë. Shkatërrimi financiar, emocional, fizik e shpirtëror, as që diskutohen. Kjo pra, është si trajtohet një qytetar i thjeshtë i këtij vendi.
Sjellja e stafit të ambasadës, maltretimet e shërbyesve të popullit, neglizhenca e institucioneve që supozohet ta mbrojnë qytetarin – krejt këto më kanë shty që unë me heqë dorë prej këtij rrugëtimi ligjor. Ndonëse kam pasur vazhdimisht përkrahjen financiare, emocionale dhe fizike të vëllait tim, ta ndjekësh një rrugë që s’ka fund nuk i duhet tash personit për të cilin po bëhet e gjithë kjo – Majës time të vogël. Shëndeti i saj po përkeqësohet çdo ditë, ndërsa ambasadat tona po luajnë me fatin e saj sipas qejfit të tyre.
Kjo më ka shtyrë që unë të nis një rrugëtim tjetër, të pasigurt e të kundër dëshirës time. Pasi ligjit nuk do t’ia dijë për mua, unë do të nisem për Austri në mënyrë jo ligjore. Asgjë në këtë botë s’do të mund të më ndajë nga Maja ime.
Por, barrën e çdo ndodhie, problemi, rreziku e fatkeqësie, le ta mbajnë ata që më detyruan me forcë që ta ndërmarr këtë rrugë.
Ju qoftë me shëndet jeta ime e e bijës sime!
PS: I’u ftoj që të bëni tag sa më shumë ambasadën e Austrisë në Shkup, në mënyrë që ky informacion të arrijë tek Ambasadori.