Një grua e dhunuar me 3 fëmijë ankohet në emisionin Fiks Fare se ishte hedhur në mes të rrugës bashkë me fëmijët e saj të mitur.
Ajo u tregon gazetarëve se qendra ku ajo ishte strehuar e ka detyruar që të mos qëndrojë më aty. Nëna me 3 fëmijë thotë se fillimisht ka kërkuar ndihmë nga kisha në Don Bosko.
Më pas kisha e ka drejtuar tek Qendra e Grave të Dhunuara Kamëz ku ka qëndruar vetëm për 10 ditë pavarësisht se ka urdhër mbrojtje nga komshiu i saj. Në datë 15 dhjetor 2021 ajo së bashku me fëmijët është larguar nga qendra, pasi e ka detyruar drejtuesja e institucionit dhe stafi me pretendimin se zonja mbante telefon në dhomë. Nga ana tjetër zonja e mohon të ketë patur telefon, pasi kontrollohej nga stafi në çdo hyrje. Ndërkohë i kanë thënë që e kanë kapur kamerat e sigurisë për të cilat zonja ka kërkuar të shohë filmimet, por nuk e kanë lejuar. Firmën për të dalë nga qendra e ka hedhur për shkak të presionit të ushtruar nga drejtuesja dhe stafi. Momentalisht atë bashkë me 3 fëmijët e ka strehur dikush që ka njohur në kishë ndaj kërkon ndihmën e Fiksit.
Emisioni Fiks Fare i drejtohet Shërbimit Social Shtetëror me anë të një e-maili ku kërkon arsyet e largimit të viktimës nga Qendra e Grave të Dhunuara edhe pse ka urdhër mbrojtje deri në muajin mars 2022.Gjithashtu pyet edhe nëse qendra ka lajmëruar institucione të tjera mbikqyrëse si bashkia apo policia. Ky email mban datën 23 dhjetor 2021 dhe Shërbimi Social kthen përgjigje në datë 28 dhjetor 2021. Në përgjigje thuhet se zonja ka dalë me dëshirën e saj nga qendra dhe në momentin e daljes është lajmëruar Bashkia Kavajë, ku zonja është rezidente. Për këtë Fiksi merr dhe një shkresë që mban datën 16 dhjetor 2021 me numër protokolli 134. Pra Shërbimi Social thotë se qendra është në rregull me procedurat. Gazetarët kërkojnë informacion në Bashkinë Kavajë nëse shkresa u kishte shkuar dhe çfarë kanë bërë me rastin? Bashkia thotë se shkresa ka mbërritur në datë 23 dhjetor ditë në të cilën gazetarët kërkuan informacion në Shërbimin Social me numër protokolli 142.Pra qendra nuk ka dërguar asnjë shkresë në datën 16 dhjetor dhe këtë shkresë e ka hartuar vetëm për Fiksin për të justifikuar punën. Gazetarët për dy ditë me radhë janë munduar të takojnë drejtoreshën e qendrës, dhe pas shumë përpjekjesh nga ana e gazetarëve më në fund bindet që t’i presë. Gazetarët i kërkojnë të shohin protokollin pasi shkresat janë fiktive. Drejtoresha nuk pranon duke u justifikuar se janë të dhëna konfidenciale.
Për këto shkresa Fiksi vë në dijeni sërish Shërbimin Social Shtetëror.Brenda ditës ky i fundit thërret drejtoreshën e qendrës në komision të disiplinës. Në këtë komision i jepet vërejtje me shkrim jo vetëm drejtoreshës, por edhe të gjithë stafit të cilat kishin emrin dhe firmën në shkresat fiktive.Gjithashtu shërbimi social e ka nën monitorim prej ditësh Qendrën e Grave të Dhunuara për të dalë më pas në një masë dhe raport përfundimtar.
Përveç këtyre Shërbimi Social ftoi të dhunuarën të kthehej në qendër bashkë me tre fëmijët e saj të mitur.