Tre punonjëse të një shkolle 9-vjeçare në Vlorë janë vënë nën hetim pas një kallëzimi të bërë nga nëna e një nxënësi. Bëhet fjalë për një mësuese, një psikologe dhe një oficere sigurie, për të cilat autoritetet kanë nisur procedim penal për veprën e dyshuar “shpërdorim detyre”.
Sipas informacioneve zyrtare, nëna e nxënësit ka pretenduar se punonjëset e institucionit arsimor nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar dhe menaxhuar një konflikt që ka ndodhur brenda ambienteve të shkollës, ku është përfshirë djali i saj së bashku me disa bashkëmoshatarë.
Autoritetet bëjnë me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kanë referuar materialet në Prokurori. Pas kësaj, ka nisur procedimi penal ndaj shtetaseve me iniciale E. H., 56 vjeçe, O. Zh., 42 vjeçe dhe A. I., 42 vjeçe, të cilat ushtronin detyrën e mësueses, psikologes dhe oficeres së sigurisë në një shkollë publike.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet janë ende në vijim për të sqaruar plotësisht rrethanat e konfliktit dhe për të përcaktuar nëse ka përgjegjësi nga ana e punonjëseve të institucionit arsimor në menaxhimin e situatës.