Në një hap të rëndësishëm për zhvillimin arsimor dhe orientimin në karrierë të nxënësve, në shkollën SHMU 2 në Vushtrri është themeluar klasa e parë e karrierës në nivel të shkollave të mesme të ulëta në Kosovë.
Iniciativa është mbështetur nga Drejtoria Komunale e Arsimit dhe kryetari i Komunës, të cilët vizituan shkollën për të uruar këtë nismë.
Kabineti i Karrierës është pajisur me teknologji moderne, përfshirë llaptopë të rinj dhe ambiente të përshtatura për zhvillimin e aktiviteteve interaktive.
Përveç kësaj, është investuar edhe në përmirësimin e kushteve fizike të klasës, si ndërrimi i dyshemeve, duke krijuar një mjedis më të përshtatshëm për mësim, reflektim dhe zhvillim personal.
Drejtori i Arsimit, Albanez Tahiraj, theksoi rëndësinë e kësaj moshe për orientimin në karrierë dhe rolin që luan kjo klasë në mbështetjen e nxënësve për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe të ndritur.
Ky është një hap konkret që synon të sjellë më shumë qartësi dhe mbështetje për nxënësit në fazat vendimtare të zhvillimit të tyre.