Në ambientet e shkollës fillore “Emin Duraku” në Shtime u organizua aktiviteti tashmë tradicional “Sofra shkollore”, një nismë që ka për qëllim bashkëpununimin ndërmjet nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve, por edhe ndihmën konkrete për shkollën.
Nxënësit, me përkushtim të madh, kishin përgatitur ushqime të ndryshme tradicionale, të cilat u shërbyen për vizitorët dhe mysafirët në këmbim të donacioneve.
Të hollat e mbledhura nga ky aktivitet do të përdoren për nevojat e shkollës, duke e kthyer kështu këtë iniciativë në një shembull të mirë të angazhimit.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Shtimes, Faruk Beqa, përfaqësues nga Policia e Kosovës, Qendra për Punë Sociale, si dhe bashkëpuntorë.
Me këtë rast, nënkryetari Beqa falënderoi organizatorët dhe nxënësit për angazhimin dhe mesazhin frymëzues që përçon ky aktivitet.
“Kjo është një dëshmi se kur shkolla, familja dhe komuniteti bashkohen, mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”, tha nënkryetari Beqa.
Nga ana tjetër, drejtori i shkollës, Enver Dugolli, theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla, duke shtuar se iniciativa të tilla, jo vetëm që ndihmojnë shkollën në aspektin material, por gjithashtu ndikojnë pozitivisht në edukimin dhe ndërgjegjësimin e nxënësve për solidaritetin dhe punën e përbashkët.
Në fund të këtij aktiviteti, nxënësit e shkollës “Emin Duraku” përgatitën edhe një program kulturo-artistik.