Rasti me testin pranues dhe rezultatet në shkollën e mesme në Shkup “Orce Nikollov”, ka ngritur shqetësimin në opinionin publik e sidomos në atë arsimore se si vendosen notat dhe si bëhet vlerësimi në shkollat fillore të vendit tonë.
Në testimin pranues në shkollën në fjalë nga 292 nxënës të shkëlqyer, vetëm 11 prej tyre e kanë kaluar testimin me sukses të shkëlqyeshëm. Ndërsa 39 nxënës ose 13 për qind kanë marrë notën 4, notën treshe kanë marrë hiç më pak se 133 nga ata që e kanë dhënë provimin ose 45.5 për qind e nxënësve pjesëmarrës në testimin pranues, notë dyshe kanë marrë pothuajse 24 për qind (70) e nxënësve të shkëlqyer. Rreth 13 për qind (39) e nxënësve të shkëlqyer treguan sukses të pamjaftueshëm. Sipas ekspertëve, kjo tregon se një pjesë e mirë e notave u janë falë nxënësve të shkollave fillore.
Ata thonë se kjo ndodhë për shkak se në të shumtën e rasteve në shkollat fillore, mësimdhënësit njihen me prindërit e fëmijëve dhe për këtë arsyeje ata shpesh vlerësimin e bëjnë në mënyrë të gabuar. Sipas tyre, kjo metodë duhet sa më shpejtë të ndryshohet nëse dëshirojmë të kemi në arsim cilësor. Ata kanë shtuar se publikimi i rezultateve të testit pranues në shkollën e mesme “Orce Nikollov”, bëri të ditur problematikën që tani e disa vite e kanë ditur por që është mbuluar qëllimisht. Njëzëri të gjithë thonë se institucionet arsimore te ne duhet të marrin sa më shpejt masa me qëllim të zgjidhet njëherë e përgjithmonë kjo problematikë.
Profesori universitar dhe eksperti i çështjeve arsimore, Avzi Mustafa, për gazetën KOHA, ka deklaruar se është e vërtet se notat gjatë shkollimit fillor fryhen. Por, sipas tij, një ndër arsyet tjera se përse kemi këtë rezultat është edhe punësimet partiake, ulja e numrit të nxënëseve dhe pa dyshim edhe ndikimi i mësimit online.
“Virusi korona dhe shkuarja në mënyrë të shpejt në mësimin online, ndikoi negativisht te nxënësit dhe humbi shprehin e të mësuarit dhe punuarit. Gjithashtu detyrat e shtëpisë që u jepen nxënëseve duhet të kërkohen dhe të kontrollohen sepse në të kundërtën ata nuk kanë asnjë efekt”, shtoi Mustafa.
Ai gjithashtu nënvizoi se një ndër problematikat tjera në arsimin fillor janë programet e ngarkuara arsimore, ku nuk u jepen hapësirë llojeve tjera mësimore siç është përforcimi, ushtrimet dhe interaktiviteti mes nxënësit dhe mësimdhënësit.
“Kërkesa ime ka qenë çdo herë që metodat aktive të përdoren gjatë orës mësimore, sepse vetëm shpjegimi nga ana e arsimtares nuk është në rregull. E rëndësishme është të merret një reagim apo feedback”, potencoi në fund ai.
Së fundi, kriteret e vlerësimit do të jenë objektive nëse rrjedhin nga standardet për vlerësim dhe nëse nuk respektohen standardet, kalohet në improvizime. Nga ana tjetër, disa nxënës kanë deklaruar se në rezultate të dobëta ka luajtur rol edhe stresi i testimit për të mos treguar rezultate të mira gjatë testimit pranues.
Sipas tyre, një numër i madh i nxënëseve nga shqetësimi që kanë pasur se si do të kalojnë gjatë testimit nuk kanë treguar rezultate të favorshme.