E diel, 3 Nëntor, 2024

Ne, nënat e sotme, jemi edhe më heroina se nënat e gjyshet tona!

- Advertisement1-

Sa herë që flitet për rritje të fëmijëve, në vesh më kumbojnë fjalët që ngrejnë lart heroizmin e nënave e të gjysheve tona.


Një heroizëm aq i ekzagjeruar ndonjëherë, saqë kur i krahason bëmat e tua me të tyret, të duket vetja një nënë koti.

- Advertisement -

Në këtë post nuk kam ndërmend ta hedh poshtë heroizmin e tyre, veçse dua ta them me të madhe se ne, nënat e sotme, jemi edhe më heroina se nënat e gjyshet tona.

Është e vërtetë se nënat tona kanë pasur shqetësim të vetëm të na mbushnin barkun, në një kohë kur bukë kishte pak e fëmijë shumë, por të shkretat nëna të sotme janë në strapacim të përditshëm për t’u servirur fëmijëve të tyre ushqime me sa më pak toksina e sa më shumë bio. Janë në strapacim të përditshëm për t’u krijuar atyre sa më shumë variacion gatimesh në shtëpi, në mënyrë që ata të mos tundohen nga helmet e mbështjella si ushqime që shiten nëpër dyqane.

Është e vërtetë se nënat e gjyshet tona mundoheshin shumë duke i larë me dorë rrobat, por fati i tyre i madh qe se të gjithë fëmijët visheshin njëlloj. Atë që kishte njëri, e kishin të gjithë. Nënat e sotme vuajnë një presion të vazhdueshëm, që fëmijët u bëjnë në trajtë kërkesash. “O ma, shokët e mi kanë atlete firmato, unë vesh atlete 20 mijë lekshe!”, “O ma, shoqet e mia blejnë fustane ke Myslym Shyri, e unë vesh këto t’falmet”.

Një presion pa fund që të artikulohet në forma të ndryshme çdo ditë. E në fund të ditës, aq shumë t’i kanë përsëritur të njëjtat gjëra, saqë ti përfundon duke ndjerë keqardhje se nuk po ua plotëson dot të gjitha ashtu siç duan, ndonëse brenda vetes tënde e di se po bën maksimumin.

Është e vërtetë se nënat tona patën shumë fëmijë dhe kishin lodhje të madhe fizike duke u shërbyer, por ato nuk e njihnin lodhjen mendore. Ose e njihnin krejt pak. Nuk e dinin se çfarë ishte stresi, depresioni, bulizmi, bipolariteti. Nuk e kishin frikën e fundmuajit, të faturave, të qerasë, të kredisë, të heqjes nga puna. Asnjërën nga këto.

Nënat e sotme, përveç lodhjes fizike me turne, vuajnë mbi kurriz një lodhje tejet të madhe mendore. I lodh edhe lodhja mendore e fëmijëve. Duke qenë se i ka zënë mamllëku në epokën e internetit, ato janë të detyruara ndonjëherë, që të lexojnë me qindra faqe tekstesh psikologjike për t’u ardhur në ndihmë atyre.

- Advertisement -rrrrrrr

Ja psh se ç’mund të heqë një nënë e adoleshentit të sotëm.

Adoleshenti i ngjan një mine me sahat, që ti ke frikë se do të shpërthejë nga çasti në çast.

Ata që kanë vetë adoleshentë në shtëpi, e dinë se për çfarë po flas.

Me fëmijën tënd adoleshent zihesh duke ngrënë bakllava.

Le që ai zihet edhe me mizat që i fluturojnë vërdallë, se me krijesat me dy këmbë po e po.

Kur e ke ndërmend t’i qasesh për t’i folur për diçka, e studion një herë me kujdes nga larg, sheh se si e ka hënën, pastaj avash avaaash, i afrohesh me terezi. Me terezi ëëë, dhe gjithmonë duke mos e hequr nga skenari mundësinë e shpërthimit.

Adoleshenti i sotëm, duke qenë se është i bombarduar nga informacioni, e ka hobi’ që të vetëdiagnostikohet çdo ditë me nga një gjë të re.

Një ditë të thotë se është i stresuar, një ditë tjetër se ka rënë në depresion e pas dy ditësh se ka bipolaritet.

Pasi ia ke shpjeguar me qetësi se kjo është thjesht një fazë delikate që shoqërohet me luhatje emocionale e psikologjike, e që do të kalojë, të dy bini rehat për ca orë.

Të nesërmen, kur kujton se ai e ka harruar tashmë e se ujërat janë qetësuar, ai të vjen e të konfirmon me siguri të plotë, se jo vetëm që ka bipolaritet, por që na e paska edhe të tipit B.

E ti sërish, si nënë, si një qenie me një dashuri e durim të pamatë, ia nis argumentimit nga e para.

Ti e rinis sërish luftën nga e para me mijëra djajtë që i vërtiten fëmijës tënd nga brenda e nga jashtë.

Është një luftë që ngjan e pambarimtë e ku ty të duket se je e vetme.

Por jo! Sa herë që e gjen veten në situata të tilla, dije se me dhjetëra nëna rreth teje e me miliona të tjera në botë, po jetojnë të njëjtën gjë. Po vuajnë të njëjtën gjë. Po përpiqen për të njëjtën gjë.

Nënat tona ishin vërtet heroina se na rritën në fukarallëk. Por përtej kësaj, ato e patën shoqërinë në krah për edukimin e brumosjen tonë me vlera.

Ndërsa nënat e sotme, vërtet mund t’i rrisin fëmijët në bollëk, por e kanë krejt botën kundër kur bëhet fjalë për rrënjosje vlerash te ta.

E megjithatë, ato nuk dorëzohen, por përpiqen që t’i udhëzojnë të shtrenjtët e tyre në atë rrugë që është më e mira për ta. Dhe për mua, ky, pikërisht ky, është heroizmi i vërtetë!

Autore: Klodi Smajlaj

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Gjejnë njëra-tjetrën pas 32 vitesh: Nënës i bie të fikët në krahët e vajzës

Një histori e trishtë është transmetuar ditën e sotme në rubrikën “Ka një mesazh...

Kujdes nëna: Këto ushqime nuk duhet t’ua jepni fëmijëve pa bërë 2 vjeç

Stomaku dhe gjithë sistemi tretës i fëmijëve është mjaft i ndjeshëm dhe nuk mund...

Ky artikull është për ju që keni planifikuar të bëheni nëna pas moshës 40-vjeçe!

Në vendin tonë, gjithnjë e më shumë gra vendosin të kenë një fëmijë në...

Momente prekëse, nëna me kancer ndahet mes lotësh nga i biri para se të niset drejt spitalit

Jonida është veçse 25 vjeç, por sëmundja e kancerit po ia shkurton jetën. Kur...