Gjykata e Lartë në Poloni i ka shpallur abortet për shkak të defekteve fetale anti-kushtetuese, duke e bërë kështu abortin në vend pothuajse të paligjshëm, vendim që ka sjellë protesta në kryeqytetin Varshavë.
Shteti, i cili në fakt kishte disa nga ligjet më strikte të abortit në Europë, tani do të lejojë procedurën të bëhet vetëm në rastet e incestit, përdhunimit ose nëse jeta e nënës është në rrezik si pasojë e shtatzanisë. Lëvizja që ligji për abortin të ashpërsohej edhe më shumë, është nisur nga qeveria populiste e Polonisë prej muajsh dhe ka ngritur alarmin mes grave që luftojnë për të drejtat e tyre dhe për të drejtat e njeriut,
Rreth 98% e aborteve në Poloni janë bërë për shkak të defekteve fetale të fëmijëve, që do të thotë se ligji i ri i jep fund pothuajse të gjitha rasteve kur kjo procedurë lejohet të bëhet. Pra një grua duhet ta mbajë fëmijën edhe nëse e di që ai nuk do t’i mbijetojë lindjes. Të paktën kështu shkruajnë media polake.
Vendimi është dënuar nga Komisionerja e të Drejtave të Njeriut në Këshillin e Europës, Dunja Mijatovic, e cila e quajti ditën kur u miratua vendimi si “një ditë të trishtë për të gjitha gratë”. Në fakt propozimi i qeverisë konservatore u rrëzua nga Parlamenti, por është miratuar nga gjykata më e lartë e Polonisë. Me qindra persona u mblodhën në shtëpinë e kryetarit të një prej partive në pushtet, PiS, Jaroslaw Kaczynski, i cili konsiderohet si nismëtar i lëvizjes, pavarësisht se nuk është as kryeministër dhe as president.
.
Kjo nuk është hera e parë që në Varshavë bëhen të tilla protesta për të ndaluar vendimin për abortin, që gjatë viteve ka qenë shumë herë në diskutim, megjithatë këtë herë arriti të miratohet.