Ka vite të tëra që nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan janë ndër më të suksesshmit në rezultatet në mësim.
Dhjeta vende të para në gara të ndryshme në shkenca, në sporte e aktivitete të ndryshme e bëjnë këtë shkollë të njohur jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Dëshmi më e mirë për këtë është suksesi në testin e maturës, ku 96,03 përqind e nxënësve e kaluan testin e maturës.
Siç thekson Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, testin e maturës me mësim në gjuhën shqipe nga kjo shkollë e kanë paraqitur 167 femra dhe 130 meshkuj dhe prej tyre atë nuk e kanë kaluar 4 nxënëse femra, derisa nga nxënësit meshkuj nuk e kanë kaluar testin 3 nxënës e njëri nuk ka marrë pjesë fare në të. Te paralelet me mësim në gjuhën shqipe kalueshmëria ka qenë 97,36 përqind.
Me mësim në gjuhën turke testit i janë nënshtruar 4 nxënës, 3 femra dhe 1 mashkull dhe asnjëri nga ta nuk e ka kaluar testin e maturës.
Marrë në përgjithësi nga 301 maturantë që e kanë paraqitur testin, nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” atë e kanë kaluar 290 nxënës, derisa për afatin tjetër kanë ngelur 11 nxënës, që marrë në përqindje i bije kalueshmëria 96,03 përqind.
Duhet cekur se numrin më të madh të pikëve në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” e ka arritur nxënësja Dëbora Kryeziu nga paralelja XII/6 e cila ka grumbulluar 95 pikë nga 100 të mundshme.