Në Gjimnazin “Hamdi Berisha” në Malishevë u zhvillua aktiviteti “Tryeza Mike”, pjesë e Projektit për Promovimin e Vlerave Humane (PVH), një iniciativë që synon të fuqizojë vlerat humane dhe të frymëzojë brezat e rinj përmes shembujve të jetës reale.
Ky aktivitet u organizua nën udhëheqjen e diseminueseve të projektit, Mirushe Krasniqi-Buzhala dhe Besarta Kryeziu Ramaj, duke bashkuar në një tryezë gra nga profesione dhe përvoja të ndryshme për të ndarë jo vetëm historitë e tyre profesionale, por edhe sakrificat, sfidat dhe forcat që i kanë shtyrë përpara.
Në tryezë morën pjesë:
Blerta Krasniqi-Thaqi, shefe e kabinetit të kryetarit të komunës
Vera Bytyçi, zyrtare për Barazi Gjinore
Fatime Limaj, biznesmene/fermere
Hidajete Mazreku, ish-mësimdhënëse dhe ish-asambleiste
Kabineti Diagnostika, doktoreshë/radiologe
Hana Krasniqi, mësimdhënëse/biologe
Dritola Krasniqi, mësimdhënëse/gjuhëtare
Arbrora Halilaj, mësimdhënëse/psikologe
Valbona Mazreku Krasniqi, bibliotekiste
Besa Berisha, police
Lema Kastrati, punëtore për mirëmbajtjen e shkollës
Secila pjesëmarrëse foli me zemër, duke treguar se rruga e jetës nuk është gjithmonë e lehtë, por forca e gruas qëndron në guximin për të vazhduar, punuar dhe ruajtur dinjitetin në çdo hap të jetës. Nxënësit u përballën me një mesazh të qartë: nuk ka profesion të vogël kur puna kryhet me përkushtim, ndershmëri dhe zemër.
Nga doktoresha që shpëton jetë, te mësimdhënësja që formon mendjen e brezave, nga policja që mbron rendin, deri te punëtorja që kujdeset për ambientin e shkollës – secila histori është një shembull force dhe dinjiteti.
Organizatorët falënderojnë të gjitha pjesëmarrëset, si dhe nxënësit e PVH, të cilët bënë të mundur realizimin e këtij aktiviteti, duke e kthyer atë në një moment reflektimi, frymëzimi dhe shprese. Ky aktivitet tregoi se kur gratë ndajnë historitë e tyre, nuk lind vetëm një bisedë – lind frymëzimi për një shoqëri më të drejtë, të fortë dhe humane.