Menjëherë pas fillimit të testit të maturës nëpër shkollat e Kosovës të shtunën, ka nisur edhe shpërndarja e tyre në rrjete sociale nga nxënësit.
Në një grup në “Viber”, maturantët kanë dërguar pyetjet nga testi, përmes fotove, por edhe pyetje të shkruara direkt në faqe duke kërkuar ndihmë për përgjigje.
Kjo formë e shpërndarjes së pyetjeve nga testet e maturës, tashmë ka vite që po vazhdon të bëhet nga nxënësit, pavarësisht premtimeve nga institucionet se nuk do të lejohen gjëra të tilla.
Testi i Maturës ka filluar në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 12:30. Në këtë provim po marrin pjesë 18.800 maturantë nga e gjithë Kosova. Testi do të zhvillohet në një ditë të vetme dhe përfshin katër lëndë: Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze, Matematikë dhe një lëndë me zgjedhje. Çdo lëndë përmban 25 pyetje, duke e çuar numrin total të pyetjeve në 100.
Rezultatet e provimit pritet të publikohen më së largu deri më 30 qershor.