Studentët të cilët kanë fituar të drejtën e qëndrimit në konvikte përmes konkursit të hapur në shtator, kundërligjshëm janë duke i shitur dhomat e banimit.
Deri në 170 euro shkon çmimi i një dhome të banimit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Pazaret e të rinjve me konviktet evidentohen lehtësisht në grupin prej 4 mijë anëtarësh në rrjetin social “Viber”.
Çdo ditë mbi 10 studentë bëjnë oferta për shitjen e dhomës së konviktit.
“Kushdo që është i interesuar për dhomë të më shkruajë”, është një nga mesazhet e zakonshme në grupin në Viber. Po ashtu ka edhe persona që shprehin gatishmërinë për ta bërë pazar. “Më shkruani në mesazh privat kushdo që është i interesuar ta shesë dhomën”, është një mesazh tjetër i studentëve.
Përveç shitjes së dhomës, studentët kanë nxjerr në ofertë edhe kartën për ushqim në mensë.
Një studente në kushte anonimiteti ka treguar për fenomenin e shitblerjes.
“Po kam dëgjuar dhe janë duke na bërë si presion, për shembull, çdo student na pyet nëse jemi ne të interesuar të blejmë dhomën, mensën apo të dyja bashkë. Edhe një shok i imi, e ka shitur domethënë dhomë për njëqind e shtatëdhjetë euro, pastaj e bën ai pagesën si student i rregullt”, ka thënë ajo.
Qendra e Studentëve këtë vit ka pranuar rreth 4 mijë studentë për strehim, ndërsa numri i studentëve që kanë përfituar për ushqim në mensë, është 1.500.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës, Ekrem Rudari, ka thënë se nuk kanë identifikuar sivjet ndonjë rast të shitblerjes së dhomave të konvikteve.
“Po deri tash i kemi pasur disa raste, por i kemi hulumtuar dhe kanë qenë më shumë falas, me profile të falsifikuara ku e kanë publikuar që e shesin vendin apo diçka, po jemi duke i shqyrtuar të gjitha. Vitin e kaluar kemi pasur raste, e i kemi largu me Rregulloren e Qendrës së Studentëve, Rregulloren e Konvikteve. Ato raste përjashtohen edhe hyjnë në listë të zezë ata studentë”, ka thënë Rudari.
Viti kalendarik i strehimit të studentëve fillon nga 1 tetori dhe vazhdon deri më 30 qershor.
Që nga hapja e dyerve të konvikteve, Rudari ka thënë se janë kryer dy kontrolle nëpër dhoma të banimit.
“Po kemi kontrolle interne, zakonisht kontrollet interne shkojnë nga mëngjesi nëpër konvikte dhe shkojnë e identifikojnë saktë me emër, me mbiemër, me letërnjoftim, se a është ashtu ai person”, ka thënë ai.
Për konvikte dhe mensë kanë të drejtë aplikimi të gjithë studentët e rregullt në studime themelore, vendbanimi i të cilëve është mbi 25 km larg nga Prishtina. Përparësi kanë studentët nga Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti Teknik dhe Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore me notë mesatare 9.00. Po ashtu pikë shtesë kanë edhe studentët që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Kosovës. Edhe personat me aftësi të kufizuara, me asistencë sociale, e fëmijët e dëshmorëve, invalidëve të luftës kanë pikë shtesë në fazën e pranimit për strehim në qendër.
Kostoja e qëndrimit në konvikte është 35 euro, ku përfshihet banimi dhe ushqimi. Përveç kësaj, studentët janë të obliguar të paguajnë një depozit prej 30 eurosh, i cili u kthehet në përfundim të vitit kalendarik të strehimit. / KOHA.net