Ndodh edhe kjo: Ministria e Arsimit lejon zyrtarin të punojë online nga Gjermania

- Advertisement -

Një zyrtar në Ministrinë e Arsimit, Arianit Krasniqi, ndryshe nga kolegët e tij që punojnë nga zyrat në Prishtinë, ai e ushtron pozitën e tij jashtë Kosovës, konkretisht nga Gjermania, ku edhe jeton. Nga MAShTi nuk e kanë mohuar një gjë të tillë. Insajderi sjell detaje.

- paragrafi 1 -

Arianit Krasniqi figuron si zyrtar për “Ueb Faqe” në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).

- Advertisement -

Kjo pozitë e tij është e publikuar edhe në faqen zyrtare të ministrisë.

Megjithatë, Krasniqi gëzon një privilegj të veçantë.

Ai e ushtron punën e tij jo nga zyrat e MAShTI-it, por nga distanca – madje, jo vetëm nga shtëpia, por nga një shtet tjetër.

- Advertisement -

Gazeta Insajderi, nga burime të veta, ka mësuar se Arianit Krasniqi është duke punuar “online” për Ministrinë, pasi ai aktualisht jeton në Gjermani.

Sipas të njëjtave burime, Krasniqi është zhvendosur atje pas martesës, por kjo nuk e ka penguar të vazhdojë detyrën si zyrtar i ministrisë.

Ministria, e udhëhequr nga Arbërie Nagavci, i ka lejuar Krasniqit që të vazhdojë punën në mënyrë tërësisht të largët – nga jashtë vendit.

Lidhur me këtë rast Insajderi ka kontaktuar me Ministrinë e Arsimit, të cilët nuk e kanë mohuar se Krasniqi jeton jashtë Kosove.

Nga Ministria thanë se Krasniqi është angazhuar si kontraktor i jashtëm individual me procedura të rregullta.

“Ju njoftojmë se, angazhimi i kontraktorit të jashtëm individual, z. Arianit Krasniqi është bërë përmes procedurave të rregullta ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurim publik. Publikimet e kontraktorit në përditësimin e web faqes zyrtare dhe rrjeteve sociale të MAShTI, janë pjesë e marrëveshjes së punës dhe janë në funksion të transparencës dhe komunikimit të aktiviteteve të institucionit”.

Në përgjigjen e tyre thuhet se angazhimi i tij ka qenë i nevojshëm.

“Angazhimi tij ka qenë i nevojshëm për shkak të mungesës së stafit në kuadër të Divizionit për Komunikim Publik, ndërsa janë në proces procedurat e rekrutimit për plotësimin e pozitave të lira në Divizion”.

Gazeta Insajderi ka provuar të marr edhe një përgjigje nga vetë Krasniqi, por deri në publikimin e këtij teksti, nuk kanë kthyer përgjigje. / Shkrimi është marrë nga Insajderi