Nuk kanë të ndalur reagimet për ndaljen e pjesërishme të pagave për mësimdhënësit dhe punëtorët tjerë të institucioneve që kanë nisur grevën nga 25 gushti.
Eddhe kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar vendimin e Qeverisë për ndalim të pagave të mësimdhënësve që kanë hyrë në grevë. Abdixhiku e ka quajtur “akt të shëmtuar politik” këtë vendim të Qeverisë.
Ai në një postim në Facebook, shkruan se ky veprim është gjëja e fundit për të cilën familjet e mësimdhënësve kanë nevojë, në një situatë ku inflacioni është në rritje, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
“Gjëja e fundit që familjet e mësimdhënësve e zyrtarëve publik kanë nevojë sot, është ndalesa e pagave të tyre – burimit të vetëm të mbijetesës. Në inflacion rekord, në krizë të paprecedentë terri veror, në investime kapitale minimale – ky shantazh jodemokratik është akt i shëmtuar politik.”
Ai ka kërkuar që Qeveria të dialogojë me mësimdhënësit për gjetjen e një zgjidhjeje.
“E ftoj Qeverinë për dialog në vend të arrogancës. Mësimdhënësit e zyrtarët shtetëror janë njerëzit tanë. Familjet e tyre janë qytetarë tanë. Politika bëhet për ta. Shpërputhja e pushtetit me kërkesa qytetare – në këtë masë – nuk do të durojë gjatë.”
Ndryshe, mësimdhënësit kanë hyrë në grevë si rezultat i mospërmbushjes së kërkesave të tyre për shtesën prej 100 eurove në paga deri në fuqizim të Ligjit të Pagave.