Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, bashkë me kryeministrin Albin Kurti, ka ndarë mirënjohje dhe shpërblime për 88 nxënës të shkollave të Kosovës të cilët kanë treguar sukses të shkëlqyeshëm në gara të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, të zhvilluara përgjatë vitit 2023, shkruan AlbanianEducation.net.
Postimi i ministres:
Mirënjohje dhe shpërblime për nxënësit e talentuar
Bashkë me kryeministrin Kurti kemi ndarë sot mirënjohje dhe shpërblime për 88 nxënës të shkollave të Kosovës të cilët kanë treguar sukses të shkëlqyeshëm në gara të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, të zhvilluara përgjatë vitit 2023.
Kjo ngjarje është vijim i nismës sonë të filluar për herë të parë vitin e kaluar, për të përkrahur nxënësit e talentuar duke i shpërblyer me mirënjohje dhe shpërblim financiar, për sukseset e tyre në garat vendore dhe ndërkombëtare.
Sivjet, numri i nxënësve fitues është dyfishuar. Shuma totale e kësaj mbështetje financiare për këtë vit është 34 mijë euro.
Falënderoj organizuesit e këtyre garave, të cilët kanë vendosur që në fushëveprimin e organizatave të tyre, të kenë pikërisht talentet nga shkollat tona.
Si Ministri e Arsimit po punojmë me përkushtim që të sigurojmë kushte më të mira në shkolla, me hapësira ku nxënësit mund të shprehin dhe të zhvillojnë talentin e tyre.
I siguroj secilin talent në çdo fushë, se do të jemi krah jush, për të krijuar mundësi të reja që ta shprehni talentin tuaj dhe për të ju dhënë hapësirën që ju duhet.