Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka uruar 7 Marsin për të gjithë mësimdhënësit.
Ajo ka thënë se kjo është një ditë e rëndësishme e historisë kombëtare, e cila sipas saj shënon rrugëtimin e gjatë të zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Ndërsa misioni sot, sipas Nagavcit, mbetët këmbëngulja për angazhim drejt avancimit të mësimdhënies.
Në një video-mesazh, Nagavci ka thënë se është bërë punë e jashtëzakonshme dhe përpjekje e pareshtur për të ndriçuar rrugën e brezave të tërë.
“Të dashur mësimdhënës. Po shënojmë sot një ditë të rëndësishme të historisë tonë kombëtare, 7 Marsin-Ditën e Mësuesit dhe të shkollës shqipe. Dita që simbolikisht shënon rrugëtimin e gjatë të zhvillimit dhe të avancimit të shoqërisë shqiptare. Të një pune të jashtëzakonshme dhe një përpjekje të pareshtur për të ndriçuar rrugën e brezave të tërë. Mësimdhënia mbi të gjitha është një mision, sidomos në rrethanat në të cilat jemi gjendur ne, kur krahas arsimit është bartur brez pas brezi edhe fryma e atdhedashurisë dhe kërkesës së fuqishme për liri e shtet”, ka thënë Nagavci.
Ministrja e Arsimit ka thënë se mision mbetet këmbëngulja për angazhim drejt avancimit të mësimdhënies.
“Prandaj dhe kujtojmë me nderim të gjithë ato mësimdhënëse e mësimdhënës që i falën jetën arsimit shqipo ndër vite. Ndërsa sot misioni jonë mbetët këmbëngulja për punë dhe përkushtim, angazhim të gjithmbarshëm të mësimdhënësve tanë për të avancuar mësimdhënien dhe për ta bërë atë konkurrente me vendet e zhvilluara. Si mësimdhënëse dje dhe si ministre sot njoh dhe vlerësoj pafundësisht punën tuaj, punën e mësuesit rezistues, reformues e frymëzues, do të vazhdoj të jem zëri juaj në përpjekjen për të bërë më të mirën për fëmijët tanë”, ka thënë ajo.
Dita e mësuesit është një festë, e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve.
Kjo datë ka zanafillën e hershme, që të kujton themelet e para të shkollës shqip, në fakt ka filluar të kujtohet, që nga viti 1960-të, kur shteti shqiptar vendosi që kjo ditë të jetë festë në shenjë përkujtimi të themelimit të të parës Mësonjëtore shqipe të Korçës, e cila u themelua më 7 mars 1887.