Ministrja e Arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci, në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, ka thënë se synojnë rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm, dhe se po punojnë që fëmijëve me nevoja të veçanta dhe komuniteteve t’u ofrojnë jo vetëm gjithëpërfshirje, por edhe mundësi të barabarta.
Nagavci, në faqen e saj të Facebook-ut, ku ka shkruar se arsimi dhe edukimi janë procese të pandalshme dhe çelës për të hapur dyert e një jete të suksesshme për secilin e për zhvillimin e çdo shoqërie.
“Edhe sivjet gjen nxënësit, mësimdhënësit, shkollat tona e secilin nga ne, duke u ballafaquar me shumë sfida për shkak të pandemisë. Por puna po vazhdon e sfidat do t’i tejkalojmë. Do ta bëjmë më të mirën për shkollarët tanë, e për mësimdhënësit do të ofrojmë mbështetjen e nevojshme që bashkarisht të arrijmë rezultate sa më të mira”, ka shkruar Nagavci në profilin e saj në Facebook.
“Për Qeverinë tonë arsimi është parakusht për zhvillim, andaj po punojmë me përkushtim, me plane e aktivitete konkrete që sistemi ynë të përmirësohet në të gjitha nivelet e të gjitha sferat e arsimit”.
Në fund, Ministrja Nagavci ka shkruar se qëndrojmë dhe punojmë bashkë sot e secilën ditë për:
Arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të digjitalizuar;
Harmonizim të arsimit dhe aftësimit profesional me kërkesat e tregut të punës;
Menaxhim efektiv të sistemit të arsimit në të gjitha nivelet;
Arsim të lartë me cilësi dhe integritet, në harmoni me standardet ndërkombëtere;
Përmirësim të mjedisit për kërkime dhe inovacion.
Por në këtë postim, ministrja Nagavci kur thotë se do të ofrojnë mbështetje për mësimdhënësit, nuk thotë në asnjë moment nëse do të ju ngriten apo jo sadapak pagat sivjet për kontributin që japin.