Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se tekste shkollore do të ipen me kohë për fillim të vitit të ri shkollor 2022-2023 për të gjithë nxënësit.
Ajo premton se nuk do të ketë më vonesa dhe papërgjegjësi në shpërndarje dhe pranim të teksteve shkollore!
“Këtë vit jemi përkujdesur që palët e përfshira në procesin e shpërndarjes dhe pranimit të teksteve shkollore të jenë të informuar mirë për afatet kohore dhe përgjegjësitë e tyre. Neglizhenca e askujt nuk guxon të dëmtojë nxënësit tanë!”
“Komisioni për evidentimin dhe shpërndarjen e teksteve shkollore (KEShTSh) i themeluar nga MAShTI, do të mbikëqyrë zbatimin e përgjegjësive nga DKA-të dhe shkollat në proces të përzgjedhjes së teksteve shkollore nga aktivet profesionale, raportimin e numrit të saktë të kërkesave për tekste shkollore, pranimin e porosive dhe shpërndarjen e teksteve shkollore”, ka deklaruar ajo.
“Kalendari i aktiviteteve për shpërndajen e teksteve shkollore dhe përgjegjësitë institucionale të secilit tashmë janë ndarë me të gjithë. Është hera e parë që një proces kaq i rëndësishëm po strukturohet opercionalisht si duhet. Tekstet shkollore nuk do të dërgohen më në shkollat tona në fillim të shtatorit gjatë procesit mësimor, por, shumë më herët në kohë, në fund të muajit korrik”, shton tutje minsitrja.
Ajo thotë se MAShTI do të jetë në përkrahje të vazhdueshme të DKA-ve dhe shkollave në këtë proces, por nuk do të lejojë që obligimet ligjore të palëve të kalojnë në shpërdorim apo neglizhencë institucionale.
“Jemi të përkushtuar për tekste shkollore cilësore për nxënësit tanë dhe shpërndarja e teksteve me kohë për të gjithë nxënësit është një pjesë e rëndësishme e këtij rrugëtimi”, thotë Nagavci.
Të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e palëve mund të gjenden në Udhëzuesin për evidentimin dhe shpërndarjen e teksteve shkollore: KËTU