Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka folur për Abetaren e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Ajo ka thënë se me vendimin e fundit është bërë unifikimi i Abetares për të dyja shtetet. Sipas saj do të jetë tekst që i plotëson standardet dhe kërkesat e reja që i përshtaten ndryshimeve.
Ajo në emisionin SOT ka thënë se protokolli i specifikon detajet ku do të bëhet komisioni i cili do të planifikojë kohën në mënyrë që Abetarja e re do të jetë e gatshme në shtatorin e vitit të ardhshëm.
Nagavci tutje ka bërë të ditur se datat 28, 29 dhe 30 dhjetor do të jenë ditë mësimi.
“Ky komision do të vendosë edhe për autorët të cilët do të jenë edhe nga Kosova edhe Shqipëria. Presim që ky libër të jetë cilësor për fëmijët, jo vetëm që do t’i marrin mësimet e para por do ta kujtojnë edhe me dashuri këtë libër. Ka pasur studime e hulumtime që kanë hasur në tekste shkollore gabime drejtshkrimore gjithashtu edhe fjalë që nxisin stereotipe. Kemi filluar një cikël diskutimesh lidhur me këto tekste. Në Kosovë teksti është kryesori që e përdorin mësimdhënësit për punën e tyre, por e përdorin edhe fëmijët që punojnë me ta”, ka thënë ajo, duke shtuar se për herë të parë këtë vit kanë filluar të punojnë edhe me tekstin alternativ.
Nagavci ka thënë se këto tekste do të dërgohen edhe për fëmijët e bashkatdhetarëve që mësojnë në gjuhen shqipe.
Ajo ka thënë se me Shqipërinë ka marrëveshje për kurrikula të përbashkëta.
Sipas saj, gjatë vitit të ardhshëm do të ketë një cikël të diskutimeve rreth kurrikulave mësimore, pasi thotë se ka pasur në përgjithësi paragjykime por edhe reflektime me vlerë që nuk janë marrë parasysh seriozisht.
Ajo ka thënë se vitin e ri shkollor e kanë filluar me vonesë për 18 ditë.
“Qysh në shtator të gjitha drejtorive komunale u është shpërndarë plani për zëvendësimin e këtyre ditëve. Tash varësisht prej momenteve të caktuara vijnë kërkesa edhe individuale si duhet të ndërpritet mësimi sepse është shumë ftohët apo shumë nxehtë. Gjatë javëve të fundit ka pasur raportime për mungesa më të shtuara për shkak të përhapjes së gripit, por nuk ka pasur raportime për situatë të vështirësi epidemiologjike. Datat 28, 29 dhe 30 do të jenë ditë mësimi dhe pastaj pushimi do të zgjasë deri në periudhën e dytë në janar”, ka thënë ajo.