Ministria e Arsimit nuk ka raport zyrtar mbi gjendjen e shkollave në veri. Në këtë Ministri kanë thënë se posedojnë vetëm informata se në disa prej institucione arsimore në këtë pjesë të Kosovës nuk është zhvilluar procesi mësimor, si pasojë e protestave të zhvilluara në tri komunat e banuara kryesisht me serbë.
Protestat që janë duke u zhvilluar në tri komunat veriore të Kosovës, të banuara kryesisht me serbë, kanë ndikuar që në disa institucione arsimore të kësaj pjese të mos zhvillohet procesi mësimor, ka njoftuar të martën Ministria e Arsimit.
Ministrja Arbërie Nagavci, nëpërmjet një konferencë për media, ka thënë se lidhur me këtë posedojnë vetëm informata dhe jo një raport zyrtar për gjendjen e shkollave në veri, të cilat funksionojnë me planprogramin e Serbisë.
“Përkundër angazhimit dhe përpjekjes sonë që t’i përfshijmë, ka pasur hezitime të vazhdueshme dhe unë besoj që kjo është një ndër faktorët më të rëndësishëm për rezistencës që po bëhet aty jo nga qytetarët, por nga bandat kriminale sikurse i pamë edhe dje në reflektimin e tyre sepse tradicionalisht për gjithë këto vjet, ata nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje, nuk kanë qenë të përfshirë sa u përket arsimit e shëndetësisë e tjerat si këto, pra janë përfshirë vetëm atëherë kur ka pasur përfitime qoftë nga buxheti i vendit”, tha Nagavci.
Nga kjo Ministri kanë pranuar se në qeverisjen dyvjeçare nuk është arritur të shtrihet ndikimin i saj as në Universitetin publik, i cili gjendet në Mitrovicën e Veriut e që mban emrin “Universiteti i Prishtinës”. E një plan për shtrirjen e kontrollit, Nagavci nuk ka shpalosur në konferencë.
“Nuk është se kemi pasur raportime apo ndonjë bashkëpunim, asnjëherë që prej themelit të tij. Edhe synimi ynë është me gjithë angazhimin që po e bëjmë si Qeveri, ta kemi të njëjtën gjendje në institucione, pa marrë parasysh komunat ku janë”, tha Nagavci.
Nagavci ka përmendur edhe orët e humbura mësimore gjatë këtij viti shkollor, për kompensimin e së cilave iniciativa e Ministrisë që ajo drejton ka rezultuar e pasuksesshme.
E përgjegjësinë për pasojat me të cilat do të ballafaqohen nxënësit për mosfitimin e njohurive të parapara ma planprogram, Nagavci ua ka lënë shkollave dhe komunave.