Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar “,“Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik“ dhe “Falsifikimi i dokumenteve“.
Reagimi nga Nagavci:
Sqarim në lidhje me lëndën e dërguar në Prokurori nga Lëvizja VETËVENDOSJE! për procedurën e prokurimit “Blerja e pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”
Nga raportimet në media jemi informuar se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 31 dhjetor 2025, ka ngritur aktakuzë në lidhje me procedurën e prokurimit “Blerja e pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”, ndaj gjithsej 15 personave: 12 persona fizikë, përfshirë zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe përfaqësues të kompanive, si dhe tre persona juridikë.
Dua të theksoj qartë se kjo lëndë është dërguar në Prokurorinë Speciale më 25 janar 2021 nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, në kohën kur ushtronte rolin e saj opozitar, pas sinjalizimeve të pranuara lidhur me këtë procedurë të prokurimit.
Në atë periudhë, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale kallëzim penal ndaj ministrit të atëhershëm të Arsimit dhe dy zyrtarëve të ministrisë, duke kërkuar hetim mbi dyshimet për keqpërdorim të fondeve publike, bazuar në dyshime të arsyeshme se ministri i MASH-it dhe zyrtarët përgjegjës, me veprimet ose mosveprimet e tyre, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Mirëpresim veprimet e Prokurorisë për shqyrtimin e kësaj lënde. Si Ministre e Arsimit, jam siguruar që Ministria të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë dhe njësoj do të vazhdojmë, duke mbajtur qëndrim të vendosur dhe pakompromis kundër çdo shkeljeje të ligjit dhe keqpërdorimi të fondeve publike, në përputhje të plotë me obligimet tona ligjore.
Përgjegjësia për çdo shkelje është individuale dhe çdo person përgjegjës duhet të japë llogari për veprimet e tij. Ministria e Arsimit, sapo të pranojë njoftimin zyrtar lidhur me këtë procedurë, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e parapara në legjislacionin në fuqi, duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë deri në vendimin e Gjykatës.
Pres që ky proces të trajtohet me seriozitet të plotë institucional, duke respektuar pavarësinë e organeve të drejtësisë dhe pa paragjykuar në asnjë rrethanë punën e Prokurorisë apo të gjykatave.
Ministria e Arsimit do të vazhdojë të udhëhiqet nga parimet e transparencës, integritetit dhe përdorimit të drejtë të parasë publike, në shërbim të nxënësve, mësimdhënësve dhe interesit publik.
Presim që Prokuroria dhe gjykatat të veprojnë në mënyrë efektive dhe pa dallime, në përputhje me ligjin, për këtë rast, si dhe për të gjitha rastet e tjera që kemi adresuar, duke siguruar që çdo rast të trajtohet me seriozitet dhe integritet të plotë.
Angazhimi ynë mbetet i palëkundur për një sistem arsimor të ndershëm, transparent dhe të besueshëm, sepse arsimi është interes publik dhe përgjegjësi kombëtare.