Ministrja në detyrë e Arsimit, Arberie Nagavci, ka dënuar rastin e dhunës në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, duke theksuar se çdo formë dhune është e papranueshme dhe nuk ka vend në institucionet arsimore.
Sipas saj, shkolla duhet të jetë një hapësirë e sigurt ku mbizotëron respekti dhe dialogu, ndërsa përgjegjësia për edukimin e fëmijëve kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes prindërve dhe shkollës.
Nagavci ka nënvizuar se siguria në shkolla nuk është opsion, por obligim, dhe të gjithë aktorët përgjegjës duhet të veprojnë me përgjegjësi për të garantuar mjedise të sigurta dhe dinjitoze për nxënësit dhe stafin.
Postimi i saj i plotë:
Dhuna, në çfarëdo forme dhe nga cilido që vjen, është plotësisht e papranueshme dhe nuk ka vend në institucionet tona arsimore. Shkolla duhet të jetë hapësirë e sigurt, ku mbizotëron respekti, dialogu dhe mirëkuptimi, si për nxënësit ashtu edhe për mësimdhënësit.
Rasti i ndodhur dje në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, ashtu si edhe raste të tjera të mëparshme, dëshmon qartë se, përveç nxënësve, dhuna prek edhe mësimdhënësit, stafin tjetër, prindërit dhe vetë komunitetin shkollor, duke cenuar sigurinë, dinjitetin dhe mirëqenien e të gjithëve. Asnjë formë dhune nuk ka vend në institucionet arsimore dhe asnjë rast nuk duhet të anashkalohet apo të relativizohet.
Përgjegjësia për edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve nuk i takon vetëm shkollës, por është një proces i përbashkët që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes prindërve dhe institucionit arsimor.Vetëm përmes komunikimit të hapur, mirëkuptimit dhe angazhimit të ndërsjellë mund të krijojmë një mjedis të sigurt, mbështetës dhe motivues për nxënësit.
Ministria e Arsimit ka ndërtuar mekanizma të qartë ligjorë dhe institucionalë për parandalimin dhe adresimin e dhunës në shkolla. Shkollat kanë obligim që çdo rast dhune ta trajtojnë me seriozitet maksimal dhe ta raportojnë në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim (SMIA). Mosraportimi i rasteve përbën shkelje të drejtpërdrejtë të obligimeve institucionale.
Në këtë zinxhir përgjegjësie, Drejtoritë Komunale të Arsimit mbajnë peshën kryesore të llogaridhënies. Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, e cila që nga viti 2016 ka të miratuar Rregulloren për organizimin e punës në shkollat fillore dhe të mesme, ka obligim të qartë ligjor që të sigurojë zbatimin e masave edukativo-arsimore të parapara me këtë akt dhe aktet e Ministrisë së Arsimit. Çdo neglizhencë, vonesë apo mosveprim nga ana e DKA-së nënkupton dështim institucional dhe bart përgjegjësi të drejtpërdrejtë për pasojat që krijohen në shkolla.
Pas informatave të raportuara nga mediat për rastin në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, Inspektorati i Arsimit ka vepruar menjëherë, duke dalë në terren dhe duke realizuar inspektim. Në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera përkatëse, të gjitha gjetjet që bien në kompetencën e Inspektoratit do të trajtohen pa kompromis dhe do të pasohen me veprime konkrete.
Parandalimi i dhunës në shkolla nuk është çështje deklaratash, por veprimi. DKA-të, drejtorët e shkollave, prindërit dhe të gjithë akterët përgjegjës duhet të veprojnë me përgjegjësi të plotë, sepse siguria në shkolla nuk është opsion, është obligim. Vetëm përmes reagimit të menjëhershëm dhe zbatimit rigoroz të ligjit mund të garantojmë mjedise shkollore të sigurta dhe dinjitoze për të gjithë.
Si Ministri e Arsimit mbesim të përkushtuar për parandalimin e dhunës në shkolla dhe për forcimin e mekanizmave që promovojnë komunikimin, menaxhimin e konflikteve dhe mbrojtjen e mirëqenies së të gjithë pjesëmarrësve në procesin arsimor.