Nagavci: Prioritet është përmirësimi i sistemit të arsimit

- Advertisement -

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në prezantimin e projektit të objektit të ri për Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe Universiteti i Prishtinës, ndërsa udhëhiqet dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projektit (UNOPS).

Ministrja Nagavci me këtë rast tha se, realizimi i këtij projekti shënon një hap përpara drejt përmirësimit të infrastrukturës akademike në Kosovë, në veçanti drejt zgjidhjes së problemit shumëvjeçar të njërit prej fakulteteve të para të Universitetit të Prishtinës.

- Advertisement -

Nagavci vlerësoi se, FShMN do të ketë një objekt i cili përputhet me standardet dhe kërkesat e kohës, duke ofruar kushte optimale për mësim dhe për ushtrimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore, ku përmirësimi i kushteve të punës për studentët dhe stafin akademik, padyshim do të rezultojë edhe me përmirësimin e cilësisë.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci tha se, prioritet i Qeverisë është përmirësimi i sistemit të arsimit dhe një nga pesë objektivat e Planit Strategjik të Arsimit për periudhën 2022-2026.

Ajo theksoi se, përveç investimeve në infrastrukturë, do të punohet edhe për zbatimin e standardeve evropiane të cilësisë, ndërlidhjen më të mirë të programeve universitare me tregun e punës, si dhe për rritjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies në institucionet publike të arsimit të lartë.

- Advertisement -

Ministrja Nagavci falënderoi ambasadorin i BE-së, Tomáš Szunyog, për mbështetjen dhe kontributin për zhvillimin e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.