Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se kanë zhvilluar takim me grupin koordinues për rishikimin e kurrikulave lëndore/programeve mësimore për arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët.
Ajo thotë se ky grup është formuar për të udhëhequr dhe mbikëqyrur procesin e rishikimit të kurrikulave dhe programeve mësimore.
Ajo thotë se MAShTI do të organizojë së paku tetë debate publike, shtatë prej tyre në rajone të ndryshme të vendit, për të siguruar përfshirjen reale të mësimdhënësve, drejtorëve të shkollave, ekspertëve dhe qytetarëve, shkruan AlbanianEducation.net.
Postimi i saj:
Rishikimi i kurrikulave nuk është një proces formal apo teknik, por një ndërhyrje e domosdoshme për të rritur cilësinë e arsimit, për të ndalur përsëritjet e panevojshme, mungesën e koherencës dhe shkëputjen nga kurrikulat bërthamë dhe konceptet kyçe të të nxënit.
Zhvilluam takim me grupin koordinues për rishikimin e kurrikulave lëndore/programeve mësimore për arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët, grup i cili është formuar për të udhëhequr dhe mbikëqyrur procesin e rishikimit të kurrikulave dhe programeve mësimore.
Në kuadër të përfshirjes së gjerë publike, MAShTI do të organizojë së paku tetë debate publike, shtatë prej tyre në rajone të ndryshme të vendit, për të siguruar përfshirjen reale të mësimdhënësve, drejtorëve të shkollave, ekspertëve dhe qytetarëve, kontributet e të cilëve do të dokumentohen dhe do të shërbejnë si bazë për analizën përfundimtare.
Procesi do të përmbyllet me një raport gjithëpërfshirës me gjetje dhe rekomandime konkrete deri në fund të muajit prill, për të garantuar transparencë, llogaridhënie dhe vendimmarrje të bazuar në evidencë në kuadër të reformës kurrikulare.
Mbesim të përkushtuar në ndërtimin e një sistemi arsimor funksional dhe bashkëkohor, që u përgjigjet nevojave reale të nxënësve dhe mësimdhënësve dhe mbështet zhvillimin afatgjatë të vendit.