Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit ka gjetur 60,000 euro keqpërdorim në 22 shkolla për subvencionim të blerjes së librave në vitin 2024, ndërsa Arbërie Nagavci, ministrja në detyrë e Arsimit, pretendon se ka prindër që i kanë kthyer mjetet e subvencionimit nëse i kanë keqpërdorur.
Nagavci tha se ia kanë kërkuar Auditorit të dhënat e keqpërdoruesve dhe e kanë adresuar këtë çështje me përgjegjësi penale, pasi në aplikim secili prind është pajtuar se këto mjete do t’i shpenzojë për tekste dhe mjete mësimore dhe nuk do t’i përdorë për qëllime tjera.
“Këtë vit i kemi dërgu edhe ka që i kanë kthy mjetet. Si Ministri e kemi fillu procesin. Ka individë që i kanë kthy mjetet. Nuk i di detajet se është duke vazhdu si proces” – tha Nagavci në “Kallxo Përnime”.
Sipas Nagavcit, asnjë komunë nuk i ka adresuar në Ministri të Arsimit rastet e mungesës së librave në shkolla.
“Në rastet kur i kemi dërgu, kemi kërkuar prej komunave që të na raportojnë, sepse ne nuk kemi qasje në secilën prej shkollave. Jam t’u fol prej vitit të kaluar. Ne nuk kemi asnjë raportim të asnjë komune, prej të gjitha komunave. Asnjë komunë nuk ka raportu që nxënësit nuk i ka të pajisur me tekste.” – ka thënë Nagavci.
KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Arsimit, më 03/08/2025, për vlerën e subvencionimit të blerjes së librave shkollor që i kanë kthyer prindërit që e keqpërdorën subvencionimin dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.
Një vit më parë, më 23.07.2024, KALLXO.com raportoi për intervistimin në cilësi të dëshmitares të Luljeta Veselaj-Gutajt, drejtoreshës së Arsimit në Prizren, në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve për vitin shkollor 2023/2024.
Veselaj- Gutaj kishte deklaruar se në Prizren ka pasur nxënës që e ka përfunduar vitin shkollor 2023/2024 dhe nuk ka pasur libra.
Në të njëjtën ditë, Afrim Llabjani, drejtori i Arsimit në Ferizaj, kishte deklaruar në Komisionin Hetimor Paralmentar se deri në muajin tetor, 2024, prindërit kanë qenë duke blerë libra.
Kurse, më 24.07.2024, gjatë intervistimit të saj në Komisionin Hetimor Parlamentar, Eranda Kumnova-Baçi, drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, deklaroi se në javën e parë të shtatorit të vitit 2023, vetëm 20% të nxënësve në Gjakovë kanë qenë të pajisur me tekste shkollore.
Këtë vit, Nagavci tha se aplikimi për subvencionimin e blerjes së librave do të bëhet në atë mënyrë që secila shkollë do të ketë korrdinatorin e shkollës i cili e ka mundësinë që në sistemin e-Kosova t’i filtrojë prindërit që aplikojnë për subvencion duke deklaruar se i kanë fëmijët në atë shkollë. Koordinatori do të ketë mundësi teknike, sipas MASHTI-it, të mos e aprovojë subvencionimin poqëse prindi nuk e ka fëmiun në atë shkollë e deklarohet si i/e tillë.