Pas dy vjetëve të mësimit me skenarë të ndryshëm, gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2021/2022 u realizua në skenarin A, ose me prezencë fizike në shkolla me orë mësimore të plota që kanë zgjatur 45 minuta.
Mirëpo, ditëve të fundit, Kosova është përballur me rritje të numrit të rasteve me COVID, pas paraqitjes së variantit Omicron dhe në rast se përkeqësohet situata me pandeminë, rrezikohet që nxënësit t’i rikthehen mësimit online.
Në lidhje me këtë çështje, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci thotë se do të presin rekomandimet e institucioneve shëndetësore për të marrë ndonjë vendim që do të ndikonte në procesin mësimor.
Nagavci thotë se janë duke punuar në disa drejtime për të përmirësuar cilësinë e arsimit në Kosovë, ku përmend investimet në infrastrukturën ligjore.