Nagavci për 7 mësuesit me licencë të avancuar: Është arritje madhore

- Advertisement -

Ministria e Arsimit nën udhëheqjen e Arbërie Nagavcit për katër vjet ka arritur t’i pajisë me licencë vetëm 7 mësimdhënës.

- paragrafi 1 -

Ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci deklaroi në emisionin “Kallxo Përnime”  se fillimi i vlerësimit të mësimdhënësve për licencë të avansuar është një nga arritjet më madhore dhe më të rëndësishme të kësaj qeverie në arsim.

- Advertisement -

Nagavci ka treguar se në provimin për licencë të avancuar për mësimdhënie kanë hyrë më shumë se 150 mësimdhënës nga përafërsisht 22,000 që i ka Kosova, sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për vitin 2023/2024.

Këta 150 ishin të vetmit që në baza vullnetare kanë pranuar të hynë në test dhe shumica dërmuese e tyre kanë ra prej testit.

Megjithatë, për Nagavcin numri i licencimit të mësimdhënësve është shumë i madh dhe është proces që vazhdon në vijimësi.

- Advertisement -

“Janë tri nivele të licencave: licenca bazike- pra e nivelit të parë, e nivelit të dytë dhe licenca e avansuar që përcillet edhe me rritje të pagës që është niveli i tretë. Për nivelin e tretë është hera e parë që e kemi bërë (vlerësimin). I kemi vetëm 7 mësimdhënës që me sukses e kanë kaluar testin. Kanë apliku shumë më shumë. Kanë marrë pjesë në test më shumë se 150 e diçka mësimdhënës dhe i kemi të suksesshëm 7 mësimdhënës” – ka deklaruar Nagavci në “Kallxo Përnime”.

Sipas Nagavcit, testimi për licencë të avansuar është bërë te mësimdhënësit e klasave 1 – 5, si dhe te mësimdhënësit e Matematikës dhe Gjuhës shqipe, pasi janë lëndë bazike dhe vlerësohen në testin PISA.

“Unë jam shumë e lumtur që për herë të parë pas 20 viteve, ne kemi vendosë sistemin profesional dhe të plotësuar të të gjithë legjislacionit. Kemi planifikuar edhe ndarjen e buxhetit dhe gjithçka tjetër, në mënyrë që ky proces të fillojë” – ka shtuar Nagavci.

Ajo u sfidua se çka bëhet me gjeneratat e humbura që lihen në duart e mësuesve që nuk po arrijnë ta kalojnë testin. Lidhur me këtë, Nagavci tha se mësimdhënësit që nuk u treguan të suksesshëm në provimin për licencë të avancuar po vazhdojnë punën dhe do e kenë mundësinë të testohen prap.

“Ata që nuk kanë arrit pragun e kalueshmërisë, të cilin e kemi bërë mjaft të lartë, kanë obligim që t’i nënshtrohen përsëri testit përpara se të vazhdohet tutje. Ndërkaq, për të tjerët fillon. Me legjislacion e kemi parapa që aplikimi në këtë fazë është vullnetar. Janë përcaktu fushat e vlerësimit që nuk janë vetëm aspekti profesional. Pra, gjuha shqipe ose matematika, por është edhe aspekti pedagogjik, didaktik, është metodologjia dhe janë çështjet etike dhe çështjet e legjislacionit” – ka thënë Nagavci.

E para e Arsimit në Kosovë nuk mendon se në provimin për licencë të avancuar kanë aplikuar mësimdhënësit më të mirë dhe nuk është habitur me suksesin e arritur nga kandidatët.

“Jo nuk më ka çudit [rezultati], nuk ka qenë diçka e papritur sepse unë e di që ka mësimdhënës shumë të mirë të cilët nuk kanë apliku në herën e parë. Kanë dasht me pa pak si po shkon procesi përpara se të vazhdojnë tutje. Më konfirmon ato që kanë qenë pak a shumë të ditura, për çështjet e fakulteteve të Edukimit për shembull, për mënyrën e rekrutimit të stafit” – tha Nagavci.

Ka shumë mësues që po punësohen tash nga fillimi dhe asnjëri nuk po futet në licencim por po e merr kontratën pa u licencuar andaj Nagavci u pyet se pse nuk po e praktikojnë fillimisht licencimin e mësimdhënësve, pastaj punësimin e tyre në shkolla.

“Kontratat janë njëvjeçare dhe për licensim duhet të merret parasysh edhe puna që mësimdhënësit e bëjnë në klasë me nxënësit e tyre… Gjatë këtij një viti, vlerësohet puna e mësimdhënësit, pra shihet puna që e bën në klasë. Nëse komuna, mbikëqyrësit e vet vlerësojnë që nuk ka arrit pritshmëritë sipas detyrave dhe përgjegjësive të kontratës, ekziston mundësia që të mos vazhdohet kontrata” – u arsyetua Nagavci.

Nagavci kishte njoftuar fillimisht në konferencën për media të datës 30.12.2024 se provimit për licencë të avancuar i janë nënshtruar 54 mësimdhënës, prej tyre 7 kanë arritur pragun e kalueshmërisë.

Kurse, në njoftimin e saj në Facebook më 03.01.2025 ajo e kishte quajtur “sukses të jashtëzakonshëm” licencimin e 7 mësimdhënësve.

“Për herë të parë javën e kaluar e përmbyllëm me sukses provimin për Licencën e avancuar, të cilit iu nënshtruan gjithsej 54 kandidatë. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm në fushën e arsimit. Qëllimi i Sistemit të Licencimit është zhvillimi i vazhdueshëm profesional dhe avancimi në karrierë i mësimdhënësve përmes vlerësimit të performancës së tyre.” – ka shkruar Nagavci në Facebook, më 03.01.2025.

Nagavci kishte thënë në Konferencën e datës 30.12.2024 se kanë aplikuar më shumë se 100 mësimdhënës, për t’iu nënshtruar provimit për Licencë të Avancuar në Mësimdhënie më 27.12.2024, kur është mbajtur ky provim.

E për mënyrën e aplikimit, ajo ka thënë se e kanë zhvilluar në formën online përmes platformës e-Kosova dhe se koha për aplikim deri në marrje të Licencës është shkurtuar nga 2-3 muaj në 2-3 ditë, nga momenti kur mësimdhënësi aplikon.

Disa minuta para se të fillonte protesta e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), më 04.12.2024, ministrja Nagavci kishte njoftuar se është hapur aplikimi për mësimdhënësit të cilët janë të interesuar të pajisen me Licencën e Avancuar për Mësimdhënie.