Nagavci: Mosmbajtja e mësimit është shkelje e të drejtave për arsim

- Advertisement -

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, i është kundërpërgjigjur SBAShK-ut për nisjen e grevës më 25 gusht teksa kërkojnë shtesa prej 100 eurove për mësimdhënësit.

- paragrafi 1 -

Nagavci, në një konferencë për media ka thënë se çdo kërkesë që shkakon humbje të mësimit për nxënësit është e papranueshme.

- Advertisement -

“SBAShK-u ka paralajmëruar grevën për 25 gusht duke e pranuar se e njohim organizimin sindikal, kërkesa për kushte më të mira të punës. Por, duhet theksuar se mos mbajtja e mësimit i dëmton më së shumti nxënësit dhe shkel të drejtën e tyre për arsim. Humbja e mësimit është cenim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsim dhe si e tillë për ne është e papranueshme sepse në vazhdimësi jemi duke punuar dhe siguruar që të ofrojmë mbështetjen e nevojshme për mësimdhënësit tanë, por edhe të rezultateve të mësimdhënies”.

“T’ju kujtoj se SBAShKU ka një projektligj për pagat nga qeveria e kaluar me të cilin ishte pajtuar dhe ai kishte rezultat që mësimdhënësit e klasës së parë e deri në klasën e pestë të mbesin me një koeficient më të ulët. Ne jemi siguruar që jo vetëm të adresojmë kërkesat që i kemi mbështetur edhe në atë kohë që mësimdhënësit të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme ashtu sikur të shtyjnë përpara përmirësimin e performancës duke e paraparë edhe shtesën për ata që do të jenë më të suksesshëm në punë. Në projektligjin e ri nuk do të ketë ndarje të tilla në mes mësuesve të klasave një deri në nëntë”.

“Të gjithë e dimë që kërkesa e kamotshme e SBASHK-ut ka qenë ligji i pagave dhe dihet se cili është pozicionimi i mësimdhënësve. Ligji është në shqyrtim dhe të gjitha kategoritë e arsimit janë trajtuar me një kujdes të veçantë sa i përket pagave”.

- Advertisement -

Tutje, Nagavci thotë se për plotësim të kërkesave duhet të shihet edhe matja e performancës së mësimdhënësve, teksa shton se nxënësit kosovarë asnjëherë në teste ndërkombëtare nuk kanë rezultatet që duam.

“Të gjithë jemi dëshmitarë që rezultatet e nxënësve tanë në teste ndërkombëtare janë dëshmuar që nuk janë ato që ne dëshirojmë, përtej kësaj pandemia ka shkaktuar humbje të mëdha në vitet e fundit në arsim dhe kjo ka ndikuar në rezultatet e mësim nxënies. Kjo tashmë është e dëshmuar me rezultate dhe raporte të institucioneve e organizatave kredibile ndërkombëtare që humbjet që janë shkaktuar në arsim nga pandemia janë të mëdha dhe duhet angazhim më i madh i të gjithë neve”, tha Nagavci.

Mes tjerash, ministrja bëri të ditur se të gjitha përgatitjet për nisjen e vitit të ri shkollor 2022/2023 janë në përfundim.