Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka pritur sot në takim Këshillin e sapoemëruar të Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore (KEPTSH), me të cilin ka diskutuar për aktivitetet dhe obligimet e parapara në planin dinamik të këtij këshilli.
Gjatë takimit, fokus i veçantë iu kushtua procesit të rishikimit të programeve lëndore, i cili pritet të nisë shumë shpejt, si pjesë e reformave të vazhdueshme në sistemin arsimor, shkruan AlbanianEducation.net.
Po ashtu, ministrja Nagavci bëri të ditur se në këtë takim u diskutua edhe për rishikimin dhe përmirësimin e teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore, shqyrtimin e dokumentacionit pedagogjik, rishikimin e listës së lektyrave shkollore me qëllim të plotësimit me tituj të rinj, si dhe hartimin dhe përzgjedhjen e teksteve për komunitetet joshumicë.
Njoftimi i plotë:
Prita sot në takim Këshillin e sapoemëruar të Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore (KEPTSH). Diskutuam për aktivitetet dhe punët e parapara në planin dinamik të këshillit, me fokus të veçantë procesin e rishikimit të programeve lëndore i cili pritet të nis shumë shpejt.
Disktuam ndër të tjera edhe për:
-Rishikimin dhe përmirësimin e teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore,
-shqyrtimin e dokumentacionit pedagogjik,
-rishikimin e listës së lektyrave shkollore dhe plotësimi me tituj të rinj,
-hartimin dhe përzgjedhjen e teksteve për komunitete joshumicë,
-Katalogun e teksteve shkollore, si dhe çështje tjera me rëndësi.
U urova suksese në detyrën e re dhe u dakorduam se synimi ynë i përbashkët mbetet përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së arsimit dhe ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë për nxënësit tanë.
Si Ministri e Arsimit, mbesim të përkushtuar që të garantojmë programe dhe tekste shkollore cilësore, bashkëkohore dhe në shërbim të zhvillimit të gjithanshëm të nxënësve.