Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, thotë se Qeveria pjesë e së cilës është, janë zotuar të përafrojnë kualifikimet e arsimit dhe aftësimit profesional drejt nevojave të tregut të punës përmes inicimit të arsimit dual dhe intervenimeve të tjera.
“Në këtë drejtim, kemi ndërmarrë veprime konkrete ku për herë të parë kemi filluar me pilotim të arsimit dual në 4 profile”, thotë ajo, shkruan Albanian Kids Education.
Njoftimi i plotë:
Arsimi dhe aftësimi profesional konsiderohet si shtyllë kryesore e çdo shteti sepse kontribuon në zhvillimin ekonomiko-social të një shoqërie dhe vendi.
Si Qeveri, jemi zotuar të përafrojmë kualifikimet e arsimit dhe aftësimit profesional drejt nevojave të tregut të punës përmes inicimit të arsimit dual dhe intervenimeve të tjera.
Në këtë drejtim, kemi ndërmarrë veprime konkrete ku për herë të parë kemi filluar me pilotim të arsimit dual në 4 profile.
Me kënaqësi mora pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumeve të mirëkuptimit me Këshillin Sektorial të Fuqisë Punëtore në fushën e TIK-ut, përpunimit të drurit dhe agrobiznesit, në kuadër të projektit “Aktiviteti për Zhvillimin e Fuqisë Punëtore përmes Sektorit Privat”, financuar nga USAID.
Projekti do të mbështesë sektorin privat për të artikuluar më mirë nevojat dhe për të hartuar, financuar dhe ofruar zgjidhje për fuqinë punëtore.
Falenderoj USAID-in për këtë projekt si dhe për themelimin e Këshillave Sektoriale që do të shërbejnë si platforma të diskutimit dhe artikulimit për nevojat e sektorit për kualifikime.