Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se SBASHK-u mund të arrijë vetëm deri në 20 euro më shumë për mësimdhënësit.
“Nuk është as e ndershme të vihemi në këtë presion, të insistohet në një vlerë e cila në fund të ditës nuk do të jetë më shumë se diku 20 euro më tepër për mësimdhënësit”, tha Nagavci mbrëmënë në T7.
Avokati i Popullit tha se e vetmja pikë ndarëse mes ofertës së Qeverisë dhe kërkesave të SBASHK-ut është vlera e shumës dhe kohëzgjatja e pakos për luftimin e inflacionit, e cila u miratua së fundmi.
“E vetmja pikë ndarëse është lartësia e vlerës së pakos mbështetëse”, tha Qelaj dje. Ai ka propozuar që “ndihma të zgjatet në kohë, por të mos rritet në 100 euro” dhe që “para përfundimit të kësaj periudhe të shqyrtohet lartësia e vlerës së pakos”.
Për këtë, ministrja Nagavci dha shenja pozitive.
“Është identifikuar si nevojë që edhe pas dhjetorit të vazhdohet me mbështetje për qytetarët. Kryeministri e ka thënë publikisht dhe jemi zotuar edhe ne në letrën që ia kemi dërguar Avokatit të Popullit që do të rishqyrtohet vazhdimi i mbështetjes në forma të ndryshme”, ka thënë Nagavci.
Qeveria përmend ligjin e ri për paga, i cili parasheh rritjen e pagave të mësimdhënësve. Ky projektligj është tashmë në procesin e konsultimeve publike dhe do të jetë kështu deri më 6 tetor.
Pas kësaj, nevojitet miratimi në Qeveri dhe Kuvend, dhe publikimi në Gazetën Zyrtare, për të hyrë në fuqi tetë muaj pas kësaj.