Para pak ditësh, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë do të ndante bursa për studime master, ku përfituan rreth 63 studentë. Në mesin e tyre, ndodhet edhe Bled Dyla, djali i sekretares së Ministrisë, Fadile Dyla.
63 persona ndodhen në listën e përfituesve të bursave për master në disa prej universiteteve, siç thotë MASHT-i, më të mira në botë. Këta studentë, janë përkrahur me nga shtatë mijë euro.
Ndërkohë, Nacionale ka mësuar se në listën e përfituesve është edhe Bled Dyla, djali i Fadile Dylës, sekretare në Ministrinë e Arsimit.
Ai renditet i 39-i në këtë listë dhe ka fituar bursë për në Universitetin Teknik të Danimarkës.
Dyla tha se “fëmijët që mund të kenë familjarë me funksione në institucionet publike nuk mund të privohen nga e drejta për arsim”.
“Konkursi ka qenë i hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës se Kosovës se “e drejta për arsimim” është e drejtë që i takon secilit fëmijë dhe të rritur në Kosovë, pavarësisht prejardhjes, apo statusit që ai/ajo gëzon…Rrjedhimisht, nga kjo e drejtë nuk privohen fëmijët që mund të kenë familjarë që janë në funksione në institucionet publike, përderisa kjo e drejtë ofrohet në kushte të barabarta dhe përzgjedhja bazohet tërësisht në suksesin akademik dhe rezultatet e treguara”.
Dyla shtoi se “nuk ka pasur ndikim” në përzgjedhjen e asnjë studenti për përfitimin e bursave.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftoj se nuk kam pasur asnjë ndikim në përzgjedhjen e asnjë studenti për asnjë lloj burse.
E gjithë procedura e mbështetjes financiare për studentët qe studiojnë në top 200 universitetet më të mira në botë është mbështetur në udhëzimin administrativ 20/2023.
Bazuar në këtë udhëzim administrativ, Ministrja ka themeluar komisionin e pavarur profesional për përzgjedhjen e përfituesve të bursave. Komisioni ka ndjekur një proces të bazuar në meritokraci dhe kritere të qarta”, tha sekretarja, për të cilën ishte raportuar shumë pasi e kishte marrë këtë pozitë, duke qenë se është mbesa e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj.
Sipas saj, ministria e nxori vendimin bazuar në raportin e Komisionit Vlerësues, derisa pati lëvdata për djalin e saj.
“Komisioni, midis shumë aplikacioneve tjera të shqyrtuara, e ka vlerësuar aplikacionin e kandidatit Bled Dyla dhe ka konstatuar se i njëjti i ka plotësuar kriteret e konkursit, si në bazë të rankimit te institucionit, po ashtu edhe në bazë të arritjeve akademike.
Bazuar në rezultatet publike dhe rangimin, shihet qartë se Bled Dyla ka sukses të shkëlqyer dhe studion në Universitetin Teknik të Danimarkës (DTU) që renditet i 124-ti në listën e top 200 universiteteve më të mira në botë.
Meritat e Bledit në fitimin e kësaj burse i takojnë plotësisht suksesit të tij akademik dhe përkushtimit të tij, pa asnjë lloj favorizimi. Vlen të theksohet se drejtimi të cilin studion Bledi “kimi dhe biokimi inxhinerike” renditet i 48 sipas rangimit të universiteteve botërore për fushën e inxhenierisë”, ka thënë ajo. / Marrë nga Insajderi