Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka lëshuar afro 20 vendime brenda një dite, duke caktuar zyrtarë në pozita si ushtrues të detyrës.
Gazeta Nacionale raporton se përmes këtyre vendimeve të MASHT-it, disa zyrtarë janë ngritur në detyrë.
Më datën 23 korrik 2025, sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Arsimit, znj. Fadile Dyla, ka nënshkruar dhe ka vulosur këto vendime, përmes të cilave këta zyrtarë janë ngritur në detyrë dhe janë caktuar si ushtrues të detyrës në fusha të ndryshme.
Vendimet janë në fuqi për një periudhë 12-mujore, në rast se brenda kësaj periudhe nuk plotësohet pozita përmes procedurës së rregullt të rekrutimit ose nuk merret një vendim tjetër lidhur me pozitën përkatëse.
Fillimisht, Dyla ka nënshkruar vendimin për caktimin e ushtruesit të detyrës zotëri Burim Gashi, i cili nga pozita “Zyrtar i Lartë për Cilësi në Arsimin e Lartë” është caktuar ushtrues i detyrës në pozitën “Drejtor i Departamentit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës”.
Më pas, zonja Elhame Shabani, nga pozita “Zyrtare e Lartë për Hartimin e Legjislacionit”, është caktuar ushtruese e detyrës në pozitën “Drejtoreshë e Departamentit Ligjor”.
Zonja Teuta Mekuli, nga pozita “Zyrtare e Lartë për Administrimin e Teknologjisë Informative”, është caktuar ushtruese e detyrës në pozitën “Drejtoreshë e Departamentit për Shërbime të Përgjithshme”.
Nga ana tjetër, zotëri Fatmir Sahiti, nga pozita “Zyrtar për Transport”, është caktuar ushtrues i detyrës në pozitën “Udhëheqës i Divizionit për Transport dhe Logjistikë”.
Zonja Rina Ponosheci-Berisha, nga pozita “Zyrtare e Lartë për Planifikim dhe Standarde të Hapësirave Arsimore”, është caktuar ushtruese e detyrës në pozitën “Udhëheqëse e Divizionit për Monitorimin e Kontratave dhe Punës Ndërsektoriale”.
Zonja Shqipe Berisha, nga pozita “Udhëheqëse e Divizionit për Zhvillim Profesional dhe Licencim të Personelit Arsimor”, është caktuar ushtruese e detyrës në pozitën “Drejtoreshë e Departamentit për Digjitalizimin e Arsimit”.
Zonja Afërdita Kryeziu, nga pozita “Zyrtare e Lartë për Koordinim të Politikave”, është caktuar ushtruese e detyrës në pozitën “Udhëheqëse e Divizionit për Koordinim të Politikave”.
Zyrtarja Arta Bruqaj-Mahmuti është caktuar ushtruese e detyrës në pozitën “Udhëheqëse e Divizionit për Buxhet dhe Planifikim”, ku më parë ka qenë “Zyrtare e Lartë për Zotim”.
Nga pozita “Inspektore e Arsimit”, zonja Muhabere Maliqi është caktuar ushtruese e detyrës në pozitën “Udhëheqëse e Qendrës për Profesione të Rregulluara”.
Zonja Ryve Prekorogja, nga pozita “Zyrtare e Lartë për Zhvillimin e Programeve dhe Zbatimin e Këshillimit në Karrierë”, është caktuar ushtruese e detyrës në pozitën “Udhëheqëse e Divizionit për Arsimin për të Rritur dhe Mësimin Gjatë Gjithë Jetës”.
Nga pozita “Zyrtare e Lartë për Komunikim me Publikun”, zonja Shpresa Kokollari-Berisha është caktuar ushtruese e detyrës në pozitën “Udhëheqëse e Divizionit për Komunikim me Publikun”.
Ndërsa zotëri Osman Beka, nga pozita “Zyrtar i Lartë për Zhvillim Profesional dhe Licencim të Personelit Arsimor”, është caktuar ushtrues i detyrës në pozitën “Udhëheqës i Divizionit për Zhvillim Profesional dhe Licencim të Personelit Arsimor”.
Nga ana tjetër, Ligji për Zyrtarët Publikë, neni 35, pika 3, përcakton se ushtruesi i detyrës nuk mund të caktohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj. Megjithatë, në rastet kur pozita nuk mund të plotësohet brenda këtij afati, mandati i ushtruesit të detyrës mund të zgjatet edhe për gjashtë muaj të tjerë, por jo më shumë se kaq.
Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në MAShT, për të marrë një sqarim se pse të gjitha këto vendime janë nënshkruar brenda një dite të vetme. Megjithatë, deri në momentin e publikimit të kësaj videoje, Ministria nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.