Një ish-studente e Fakultetit të Edukimit në kushte anonimiteti ka rrëfyer se si para afro 12 vjetësh u ndje e ngacmuar seksualisht nga profesori Xhevat Krasniqi, në atë kohë asistent i Lëndës së Matematikës.
Në emisionin “Rreth e Rrotull”, ish-studentja Zana (emër fiktiv) ka rrëfyer se sa e vështirë ka qenë që të ndiqen ligjëratat kur një asistent i tillë i vë në siklet studentet me sjelljet e tij që ajo i quan “jonjerëzore”.
Nën lot e emocione, Zana rrëfen se si së bashku me koleget e saja studente është dashur të shkojnë së bashku në zyrën e konsultimeve nga frika që të mos përballen vetë me të.
Më irritohet trupi kur përmendet emri i tij, duke më kthyer në kohën e njëjtë që ndjesinë që na e ka dhënë. Një profesor duhet të njihet me epitetin si shpërndarës i dijes e ai ka dhënë emocione jo të mira kur ka dhënë ligjërata e konsultime, të mos them që qëllimisht na ka vënë edhe në konsultime pa pasë nevojë, ka qenë metodë e tij. Ne jemi shoqëri e dobët për të dalë ballë një personi të tillë kur vetë edhe në kushte anonimiteti e tregoj rastin tim, nuk ka qenë i rehatshëm si profesor as në ligjërata, provime, konsultime, mënyra si ka shkruar, komplimentuar, ai të ka shkruar në Facebook, edhe pse e ke injoruar live, ai e ka zgjedh atë formë”, ka rrëfyer ish-studentja.
Ndër të tjera, Zana tregon se si i njëjti ka përdorur një gjuhë komunikimi jonjerëzore në konsultime dhe se shumë studente nuk kanë arritur të përfundojnë fakultetin vetëm për shkak të tij.
“Njerëzit si ai nuk kanë vend në institucione, jam pishman që s’kam folur më herët, e kam përfunduar Edukimin tu pasë frikën me shku në shkollë. Na vardisej në konsultime, e ka pasë një gjuhë komunikimi jonjerëzore, ai dilte jashtë temës. Këto terme të masazhës që i ka përdor tash atëherë i ka përdorë të tjera të tilla, si thua për një kafe pas konsultës, çka ki me bo ma vonë?.. Është një siklet që ma përpara provon me hesht e me dal prej asaj zyre. Më vjen keq që sot ka kolege që nuk e kanë përfunduar fakultetin shkaku i tij, nuk e kemi pasë sigurinë të shkojmë ndamas në zyre të konsultimeve”, ka vijuar ajo.
Ajo ka shprehur shqetësimet e saj se si një profesor që u suspendua nga Fakulteti i Edukimit tash është pjesë e Fakultetit të Mjekësisë, duke thënë se personat si ai nuk duhet të kenë vend në institucione.
“Prej edukimit ka qenë i suspenduar, sa vend i dobët jemi, më vjen shumë inat përderisa vazhdon dhe kontribon në drejtim të arsimit, e dëmton epitetin e profesorëve tjerë që shpërndajnë dije për gjeneratat e reja. Ka qenë jashtë etikës njerëzore, profesori Xhevat vec profesor s’ka qenë, asistent s’ka qenë, më vjen keq prej profesoreshes që ia ka besu punën atij si asistent”, ka theksuar ajo.
Ndër të tjera, Zana thotë se sjellja e tij në raport me djemtë studenta ishte arrogante.
“Me djem ishte arrogant, si për seminare, detyra e për çdo gjë i kishte prioritet femrat. Një njeri si ai duhet të ndëshkohet, e ka keqpërdorë mësimdhënien”.
Ndonëse siç thotë ajo raportimet për profesorin edhe në atë kohë janë lajmëruar te dekani i fakultetit, të njëjtat nuk kanë gjetur përkrahje.
“Në atë kohë kemi folë me prodekanin e dekanin, por dekani ishte i njëjti tip si Xhevat Krasniqi, ai e mbështetke asistentin, gjërat i kishin në një vend. Të jesh i keq ki shumë njerëz afër, të jesh lajkatar ki shumë njerëz afër”.
Ajo ka një mesazh për studentet e vajzat që ndihen të ngacmuara seksualisht që rastet e tilla t’i lajmërojnë tek organet kompetente.
“Në momentin që ndihesh jorehat pranë personit që e vlerëson si punëdhënës apo profesor, ndërpreje kontaktin e drejtoju organeve kompetente. Jemi në vitin 2024, nuk duhet të heshtim. Me kalu 11-12 vjet e mos me fol vec pse u kon marre, nuk është mirë. Nuk është ndjenjë e mirë kur i kujton 11-12 vjet mbrapa, emocionet më bënë pak të dalë jashtë vetes. Nuk duhet të mbahet brenda asnjëherë”, ka potencuar ish-studentja.
Ajo thotë se në atë kohë nuk ka mundur ta ndajë këtë shqetësim me ndokë, përveç një familjari duke u rekomanduar vajzave që të mos mbajnë brenda gjërat e tilla, por të flasin e të shprehen.
“Familja ishin më të vjetër, nuk e dija që do më kuptonin, ndjenjat e ndrydhura janë gjithmonë të dëmshme. Ta dinë se po dëgjohen, po e mbajtën fshehur prej familjes do e mbajnë larg nga organet e kompetente e shoqëria, pastaj sdo ketë ndryshim”.
Ajo pret që profesori Xhevat Krasniqi “të marrë dënimin meritor” duke uruar që i njëjti të “kalbet në burg”.
“Me sa duhet është koha të flas, mjaftueshëm e kam mbajt brenda, e largoj një ndjenjë jo të mirë nga trupi im. Nuk dua të kem as inati për atë person, dua të marr ai dënimin meritor. Ai meriton që të kalbet në burg, nuk bën të lëshohet si i pafajshëm. Nuk është vetëm një zë, janë disa zëra që po flasin kundër një personi, kundër një fenomeni, e kemi shkak i frustrimit të madh të gjinisë mashkullore. Njerëzit si ai nuk kanë vend në institucione”.
Ndryshe, tashmë 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë kanë denoncuar profesorin Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual.
Protesta janë mbajtur nga Lëvizja Feministe Studentore dhe studentë të UP-së duke kërkuar shkarkimin e Krasniqit dhe Këshillit të Etikës.
Nga data 26 mars kanë filluar protestat me kërkesë shkarkimin e Krasniqit.
Xhevat Krasniqi është profesor i rregullt i matematikës në Fakultetin e Edukimit dhe në muajin mars 2024 është raportuar se 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë e kanë denoncuar në Këshillin e Etikës të UP-së, me akuzën për ngacmim seksual.
Sipas raportimeve, Krasniqi ka ligjëruar në Fakultetin e Mjekësisë si profesor i angazhuar nga fakultetet e tjera brenda UP-së.
Fakulteti i Mjekësisë e ka konfirmuar se profesori Krasniqi ka qenë i angazhuar në këtë Fakultet përafërsisht nga viti akademik 2016/2017, ku ka ligjëruar lëndën e matematikës në programin e Farmacisë.
Sipas Fakultetit të Mjekësisë, Krasniqi nuk e ka pranuar se i ka ngacmuar seksualisht studentet.