Qeveria në detyrë ka ndarë nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, sektorin jopublik dhe për studentët.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se i ka kërkuar ministrit të Financave ta dizajnojë pakon për përballje me inflacionin.
Kurti tha se pensionistët dhe fëmijët nuk do të kenë nevojë për aplikim dhe pagesat do të bëhen javën e ardhshme, ndërsa për punonjësit e sektorit jopublik dhe studentët, nevojitet procedurë aplikimi që do të hapet javën e ardhshme.
Ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati tha se në mbështetjen e njëhershme prej 100 euro përfshihen të gjithë të punësuarit e deklaruar në muajin prill me të ardhura mujore më pak se 1 mijë euro që nuk janë në listën e pagave që paguhen nga buxheti i shtetit.
“Pra këtu është sektori privat dhe sektori tjetër, pra publik por që është jashtë organizatave buxhetore, shoqëria civile por edhe ndërmarrjet publike dhe organizatat tjera që nuk marrin pagë nga buxheti i shtetit”, tha ai.
Po ashtu, Qeveria ka njoftuar edhe rritjen e shtesave për lehonat.
“Nga ky muaj do të rrisim shtesat për lehona. Derisa me qeverisjet e kaluara shtesat për lehona ishin zero, për herë të parë e nisëm duke paguar nga 170 euro për 6 muaj për lehonat e papuna dhe tre muaj për të punësuara. Shtesat i nisëm aq sa ishte paga minimale, kurse në maj vitin e kaluar i rritëm në 325 euro. Sivjet pagën minimale e rritëm përsëri, nga 1 korriku bëhet 500 euro. Edhe në këtë maj po i rrisim shtesat për lehona, nga 325 në 500 euro në muaj”, ka thënë Kurti.