Për më shumë se katër dekada, Murat Rifati mbajti në dorë ditarin e mësuesit dhe mbi supe barrën e përgjegjësisë për edukimin e brezave të rinj. Ai udhëtoi çdo ditë kilometra të tërë, në shi, borë, acar e furtunë, drejt fshatrave kufitare dhe zonave të thella rurale, vetëm që fëmijët e atyre anëve të mos mbeteshin pa shkollë dhe pa dije. Për të, mësimdhënia nuk ishte thjesht profesion, por mision jetësor.
Në një kohë kur heronjtë shpesh kërkohen në zhurmë dhe tituj të mëdhenj, figura të tilla si mësuesi Murat Rifati nga Pogragja dëshmojnë se heroizmi i vërtetë jeton në përkushtimin e përditshëm, në sakrificën e heshtur dhe në dashurinë e pakushtëzuar për dijen. Ai është një nga ata mësues që me plot të drejtë mund të quhet hero i ditëve të sotme, një figurë që institucionet arsimore dhe shoqëria duhet ta nderojnë dhe ta vlerësojnë denjësisht.
Për më shumë se katër dekada, Murat Rifati mbajti në dorë ditarin e mësuesit dhe mbi supe barrën e përgjegjësisë për edukimin e brezave të rinj. Ai udhëtoi çdo ditë kilometra të tërë, në shi, borë, acar e furtunë, drejt fshatrave kufitare dhe zonave të thella rurale, vetëm që fëmijët e atyre anëve të mos mbeteshin pa shkollë dhe pa dije. Për të, mësimdhënia nuk ishte thjesht profesion, por mision jetësor.
Të shkruash për mësuesin Murat Rifati nuk është e lehtë. Biografia e tij është e pasur, por mbi të gjitha është një histori e ndërtuar rreth ditarit, klasës dhe nxënësve, një histori që zgjat plot 40 vjet shërbim arsimor. Edhe pse sot gëzon pensionin e merituar, ai flet me mall dhe ndjenja të përziera për vitet kur ligjëroi në Bilinicë, Stublinë, Strezovc, Koretin, Busavatë, Sllubicë, Pogragjë, Llovcë dhe shumë fshatra të tjerë.
Janë pikërisht këto zona kufitare, shpesh të harruara nga institucionet, ku Murat Rifati mbolli farën e dijes dhe të shpresës. Frytet e këtij përkushtimi sot shihen qartë: breza të tërë nxënësish që janë bërë profesorë universitarë, mjekë, inxhinierë, gazetarë dhe profesionistë të profileve të ndryshme.
“Dallimi mes asaj kohe dhe kësaj të sotmes është i madh,” kujton Rifati. “Infrastruktura mungonte, teknologjia ishte e paimagjinueshme, por motivimi vinte nga nxënësit. Kam udhëtuar deri 14 kilometra në ditë për në Stublinë dhe kurrë nuk kam munguar. Jam krenar që për 40 vite kam kontribuar në arsimimin e gjeneratave. Sot, ata janë krenaria ime.”
Edhe sot, Murat Rifati e ndjek me interes dhe entuziazëm punën e mësuesve të rinj. Ai vlerëson përmirësimin e kushteve, zhvillimin e teknologjisë dhe lehtësitë që ka sjellë koha moderne, por njëkohësisht thekson se arsimi ende nuk e ka marrë vlerësimin e merituar në shoqëri. “Mësuesit duhet të çmohen më shumë, të respektohen dhe të nderohen,” shprehet ai, duke shtuar se kurrë nuk ka punuar për mirënjohje apo dhurata, por për ndërgjegje dhe përgjegjësi.
Mesazhi i tij për brezat e rinj është i qartë: të kërkojnë dijen deri në fund. Ndërsa për përgjegjësit e arsimit, thirrja e tij mbetet e fortë dhe aktuale: më shumë investime në fshatrat e largëta, kushte më të mira për nxënësit dhe mësuesit, si dhe mbështetje reale për ata që e mbajnë arsimin gjallë.
Biografi e shkurtër profesionale
Murat Rifati lindi më 25 gusht 1955 në fshatin Pogragjë të komunës së Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën e Mesme Normale “Skënderbeu” në Gjilan, ku në vitin 1975 diplomoi si mësues për ciklin e ulët.
Karrierën e nisi në vitin 1975 dhe punoi në disa shkolla fillore në komunat e Gjilanit dhe Kamenicës. Pas shërbimit ushtarak (1978–1979), vazhdoi punën arsimore pa ndërprerje, duke shërbyer për vite të tëra në fshatra të largëta dhe paralele të ndara fizike, shpesh duke udhëtuar çdo ditë mbi 13 kilometra në këmbë.
Gjatë luftës së Kosovës, u detyrua të shpërngulet në Maqedoni, ku si refugjat në kampin Stenkovec II, vazhdoi misionin e tij si mësues në shkollën “Kosova na pret”. Pas luftës, rifilloi punën në Bilinicë dhe më pas në Pogragjë, duke dhënë kontribut deri në vitin 2012, edhe pse u përball me probleme serioze shëndetësore dhe iu nënshtrua një operacioni të rëndë në zemër.
Në mbi 40 vite përvojë, Murat Rifati punoi me klasa të ulëta, të larta dhe kryesisht me klasa të kombinuara, duke u shndërruar në simbol të përkushtimit dhe sakrificës në arsimin kosovar./ Marrë nga rajonipress