Hapësirat e shkollës “Trepça”, në Banjë të Istogut janë pasuruar me murale artistike të realizuara nga mësimdhënësja Mirdita Sejdijaj Bylykbashi në bashkëpunim me nxënësit e klasës së VIII-të, duke sjellë një pamje më kreative dhe frymëzuese për ambientin shkollor, shkruan AlbanianEducation.net.
Punimet artistike, të vendosura në ambientet e shkollës, përcjellin mesazhe të rëndësishme për dijen, artin, imagjinatën dhe kreativitetin.
Njëra nga muralet paraqet bibliotekën si simbol të botës së pafund të librave dhe njohurisë, ndërsa muralja e frymëzuar nga vepra “Nata me Yje” sjell ngjyra, emocion dhe inspirim për nxënësit.
Sipas shkollës, ky aktivitet është realizuar në kuadër të promovimit të artit dhe angazhimit kreativ të nxënësve, duke krijuar një atmosferë më të ngrohtë dhe motivuese në hapësirat shkollore.





Bashkëpunimi mes mësimdhënëses dhe nxënësve u vlerësua si shembull i mirë i përfshirjes së të rinjve në aktivitete artistike dhe edukative.