E premte, 15 Nëntor, 2024

Mungesë kushtesh elementare në shkollat për nxënësit shqiptarë nëpër komunat veriore

- Advertisement1-

Katër institucione të arsimit parauniversitar në gjuhën shqipe funksionojnë në komunat veriore, të banuara kryesisht me serbë. Shumica prej tyre përballen me mungesë të laboratorëve dhe të hapësirave infrastrukturore. E në disa mungojnë edhe mjetet higjienike, shkaku i telasheve të krijuara në furnizim si pasojë e dorëheqjes së zyrtarëve komunalë serbë

14-vjeçarja Zana Murseli i ndjek e vetme mësimet në këtë klasë të shkollës fillore “Kadri Bistrica” në fshatin Bistricë e Shalës, në veri të Kosovës.

- Advertisement -

Ajo është njëra prej 16 nxënësve nga fshatrat Koshtovë, Cerajë e Bistricë, që i vijojnë mësimet në shkollën e vetme në gjuhën shqipe të Komunës së Leposaviqit.

Ani se numrin e pakët të nxënësve e kualifikon si përparësi në efikasitetin e mësimnxënies, ajo thekson se në shkollë mungojnë kushtet për zhvillimin e mirëfilltë të procesit mësimor.

“Për laborator, për lëndë shkencore, është shumë vështirë që vetëm me teori për t’i kuptuar pa laborator. Mendoj që nuk mundesh të marrësh diçka më tepërt, po ashtu, edhe për lëndën e edukatës fizike. Aty vetëm ne mundohemi me ushtrime, mirëpo pa e pasur sallën sportive nuk mundesh ta praktikosh lëndën se si duhet”, ka thënë Zana Murseli, nxënëse në SHFMU “Kadri Bistrica”.

Drejtoresha Rrudina Salihu thekson se për furnizimin me pajisje të nevojshme shkollore problem po paraqet dorëheqja e zyrtarëve serbë nga institucionet komunale.

“Fillimisht, me vite të tëra, kemi pasur një bashkëpunim të mirë sa i përket Drejtorisë së Komunës së Leposaviqit, por fatkeqësisht jemi pa drejtori të arsimit dhe çka do që kemi vështirësi apo hasim në ndonjë problem, i qasemi Ministrisë së Arsimit në Prishtinë”, ka thënë Salihu.

23 kilometra më larg ndodhet institucioni i vetëm arsimor në gjuhë shqipe në Komunën e Zveçanit, “Isa Boletini”, që gjendet ngjitur me Kullën e patriotit shqiptar. Menaxhmenti i shkollës, ku mësimet i vijojnë rreth 60 nxënës, nuk e pranoi ekipin e KOHËS për vizitë.

- Advertisement -rrrrrrr

E në Zubin-Potok, shkolla e vetme shqipe ndodhet në fshatin Çabër.

Enver Hasani, drejtor i shkollës “Osman Rama”, thotë se së fundi është shënuar rënie e theksueshme e numrit të nxënësve. Krahas kësaj, ai përmend edhe mungesën e pajisjeve higjienike në shkollë.

“Këtë vit e kemi pak më problem edhe për mirëmbajtjen e shkollës, edhe me furnizimin, për momentin institucionet komunale nuk funksionojnë, por shpresojmë prej ndihmës së Qeverisë”, ka thënë Hasani.

E te Kodra e Minatorëve në Mitrovicën e Veriut, dy kontejnerë e kryejnë funksionin e shkollës për nxënësit shqiptarë të një pjese të zonës të banuar kryesisht me serbë. Përveçse në këta kontejnerë, nxënës të shkollës “Aziz Sylejmani” mësojnë edhe në dy objekte të tjera, pasi shkolla është duke u shfrytëzuar nga nxënësit serbë.

Drejtori, Flamur Gacaferi, këtë e kualifikon të papranueshme.

“Në fakt, meqenëse prindërit jetojnë atje, është problem edhe qarkullimi i lirë i nxënësve nga Kodra e Minatorëve deri në jug dhe anasjelltas. Përpara e kemi pasur një qarkullim të automjeteve të organizuara, mbartja e mësimdhënësve, por që tri vjet i mbulojnë me shpenzime vetanake por kanë problem gjatë vajtjes e ardhjes të nxënësve”, ka thënë Gacaferi.

Ndërtimi i një objekti të ri për këtë shkollë është kërkuar vazhdimisht nga banorët. /KOHA/

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Ana Shkreli: Të rinjtë po lënë në harresë librat shqip

Panairi i 27 i Librit, ngjarja më e rëndësishme e letërsisë dhe librit në...

“Po degradohet familja”, 5 komuna ndalojnë përdorimin e doracakëve për edukim seksual në shkolla

Disa komuna kanë marrë vendim për ndalimin e përdorimit në shkolla të Doracakëve ‘Edukimi...

Rrahman Jasharaj: Doracakët që i bëri MASHT-i duhet të tërhiqen

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut, ka kritikuar doracakët për edukimin seksual të publikuar nga...

Ismet Kryeziu: Nagavci duhet të japë dorëheqje pas skandalit me doracakët për edukimin seksual

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci,...